Ministria e Bujqësisë s’ka marrë njoftim se do t’i ndërrohet vendi
Zyrtarë të Ministrisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural (MBPZHR), nuk kanë marr ndonjë njoftim zyrtarë nga Ministria e Administratës Publike, për të lëshuar hapësirat ku gjendet momentalisht, në të cilin objekt parashihet të vendoset Presidenca e Kosovës.

Lajme
Mediat raportuan gjatë ditës se Ministria e Administratës Publike (MAP), ka përcaktuar zhvendosjen e selisë së Presidencës. Sipas raportimeve të ndryshme, vendi ku do të vendoset Presidenca do të jetë aty ku tash është Ministria e Bujqësisë dhe Ministria e Kulturës, të cilat funksionojnë në të njëjtin objekt, që ndodhet në sheshin “Nënë Tereza’ në qendër të Prishtinës.
Por Shkelzen Dragaj këshilltari i ministrit të Bujqësisë, Memli Krasniqi, tha për lajmi.net se në adresë të tyre nuk ka ardhur ndonjë njoftim zyrtarë për këtë çështje.
Ai rikujton dhe konfirmon se kjo çështje është diskutuar si ide, por zyrtarisht nuk ka ndonjë gjë.
“Ne nuk kemi ndonjë kërkesë apo njoftim zyrtarë për këtë çështje. Për këtë ide është biseduar edhe gjatë kohës kur ne kemi qenë në Ministrinë e Kulturës, por zyrtarisht nuk ka diçka”, thotë Dragaj për lajmi.net.
“Normalisht se ne do të respektojmë vendimet që merren nga institucionet përkatëse”, ka thënë Dragaj.
Sipas raportimeve në media, edhe pse ende jozyrtarisht, Ministria e Bujqësisë pritet të vendoset në objektin ku aktualisht është selia qendrore e AAK-së në Ulpianë./ lajmi.net.