Ministria e Bujqësisë në 7 vitet e fundit dha 39 milionë euro për qumështarët

Sektori i qumështit po ankohet në mbështetjen institucionale, në veçanti për sigurimin e tregut, por ata duket se janë më të përkëdhelurit e shtetit në një aspekt tjetër.

Lajme

25/06/2015 15:23

Përmes Implementimit të Programit për Bujqësi dhe Zhvillim Rural të Ministrisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rura, sektori i cili ka përfituar më së shumti është sektori i qumështit.

Ky sektor është mbështetur me grante dhe subvencione çdo vit, nisur prej vitit 2008. Sipas statistikave që ka siguruar Gazeta Fjala, nga viti 2008 e deri në vitin 2015 Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural ka dhënë për sektorin e qumështit 39,478,636.00 €, (Grante investive: 18,361,306.81 € + Pagesa direkte: 21,117,329.00 €). Në shumen prej 39 milionëve 5 milionë janë nga Komisioni Evropian dhe 34 milionë vetëm nga shteti i Kosovës.

Mbështetja sektoriale është e fokusuar në rritjen e fondit të kafshëve të qumështit përmes subvencionimit të krerëve prodhues, ndërsa përmes granteve investive janë mbështetur investimet në fermë, mekanizëm bujqësorë, pajisje për ngritjen e cilësisë së përpunimit të qumështit dhe përmirësim të marketingut të produkteve të qumështit.

Problemi i qumështarëve del të jetë tregu, një fushë kjo që e mbulon Ministria e Tregtisë dhe Industrisë. (Gazeta Fjala)