Ministria e Bujqësisë inkurajon fermerët e Gjilanit për kultivim duhani
Ministria e Bujqësisë në kuadër të politikave zhvillimore planifikon të subvencionojë fermerët gjilanas, të cilët shprehin gatishmërinë për kultivim duhanit. Por një ndër sfidat do të jetë edhe buxheti i limituar i Ministrisë së Bujqësisë për të krijuar politika të reja, në mënyrë që të ketë një zhvillim më të hovshëm të kësaj bime industriale.
Lajme
Këto deklarata janë bërë gjatë një takimi që është zhvilluar në Gjilan midis kryetarit të Gjilanit, Lutfi Haziri, ku të ftuar ishin edhe zëvendësministrin e Bujqësisë, Vezir Januzi dhe zëvendësministren e Punës dhe Mirëqenies Sociale Rita Hajzeraj.
Januzi ka vlerësuar se Komuna e Gjilanit ka bërë përparime në sektorin e bujqësisë, ku edhe është rritur buxheti i Drejtorisë së Bujqësisë. Ai ndërkaq ka inkurajuar fermerët të cilët duan të kultivojnë duhanin në këtë pjesë.
“Besoj se edhe kjo bimë në politikat zhvillimore të bujqësisë për mot do të jetë prioritet dhe do të futet për subvencionim. Përgëzojmë dëshirën dhe vullnetin e kryetarit që të rrisë buxhetin për bujqësinë. Kështu që Ministria e Bujqësisë ka pasur këtë vit një buxhet prej 43 milionë eurosh. 20 milionë për grande dhe 23 milionë për pagesa direkte. Kërkesat për grande kanë qenë 2 mijë e 136 me vlerë prej 147 milionë eurosh”, tha Januzi.
Sipas tij për shkak të kufizimeve buxhetore është e pamundur që të përfitojnë të gjithë fermerët.
“Kështu që ne do të trajtojmë fermerët në mënyrë të barabartë, por prioritet do t’u jepet fermerëve që janë të zellshëm. Si ministri e kemi të vështirë të dallojmë cili është fermer i zellshëm. Mirëpo ne bazohemi në dokumentacion, i cili na vjen në zyrat tona nga komisioni. Ai është duke vlerësuar dokumentacionin dhe besoj se Gjilani do të jetë përfituese e projekteve të ndryshme. Komuna është një vend rural dhe ka nevojë për një zhvillim të mëtutjeshëm”, ka thënë ai
Ndërkaq zëvendësministrja e Punës dhe Mirëqenies Sociale, Rita Hajzeraj, ka folur më shumë për politikat e punësimit.
Sipas saj, qeveria synon të ulë papunësinë edhe përmes granteve nga organizatat ndërkombëtare. “Përparësi këtu do t’u jepet komunave me numër të madh të banorëve dhe do të subvencionojnë edhe bizneset. Si ministri mendojmë të përfitojmë diku rreth muajit tetor 1 milion grante nga organizatat ndërkombëtare”, tha Hajzeraj.
Sipas saj, Gjilani do të përfitonte në bazë të numrit ë banorëve që janë paraqitur në zyrën për asistencë sociale.
“Gjilani në këtë rast do të përfitojë edhe sikur komunat e tjera, por gjithmonë duke marrë parasysh numrin e banorëve dhe numrin e njerëzve që paraqiten nëpër zyra të asistencës sociale. Projekti i vetëpunësimit nënkupton ku secili individ, i cili nuk ka një punë të caktuar, e merr një fond të caktuar diku 3 mijë deri 8 mijë euro ose 2 mijë deri 8 mijë euro, varësisht nga projektet dhe programet”, ka thënë ajo.
E kryetari i Gjilanit, Lutfi Haziri, ka thënë se ata janë pajtuar që të bëjnë zgjidhje për rastet e banimit social ku participues do të jetë edhe ministria.
“Jemi pajtuar që njëri nga projektet të jetë për çështje siç është banimi social. Ministria do t’i bashkohet një fondi bashkëfinancimi të projektit të Gjilanit që do të ndihmojë ndërtimin e shtëpive apo rinovimin e disa shtëpive”, ka thënë ai.