Ministria e Arsimit do t’ua falë nxënësve orët e humbura, nëse kthehen në Kosovë!

Ministria e Arsimit premton se do t’ua “falë” nxënësve që tashmë kanë emigruar të gjitha orët e humbura, nëse kthehen në Kosovë. Sipas zyrtarëve të kësaj ministrie, atyre do t’iu kompensohet mësimi i humbur.

Lajme

04/02/2015 08:50

Shkollat kosovare do t’i arsyetojnë nxënësit që e kanë braktisur mësimin, nëse vendosin të kthehen në vend nga shtetet ku kanë emigruar muajt e fundit.

Është raportuar se mijëra nxënës e kanë braktisur mësimin, pasi që bashkë me familjarët e tyre kanë shkuar në vende të ndryshme të Bashkimit Evropian.

Përfaqësues të Ministrisë së Arsimit, si dhe Komisionit Parlamentar për Arsim, thonë se braktisja e shkollës nga nxënësit për shkaqe të emigrimit do të trajtohet si rast i veçantë.

Si zgjidhje për këtë, në rast të kthimit në Kosovë pas disa muajsh të të emigruarve ilegalisht, këto dy organe qeveritare mendojnë formën e kompensimit të mësimit të humbur.

Ismajl Kurteshi, anëtar i Komisionit Parlamentar për Arsim, ka thënë për gazetën “Zëri” se humbja e mësimit e dëmton nxënësin.

Ndonëse procedurat administrative e ndëshkojnë kthimin e fëmijëve në shkollë pas humbjes disajavëshe apo mujore, ai thotë se shteti duhet t’i inkuadrojë në mësim këta nxënës duke ofruar dhe zëvendësim-kompensim të mësimit të humbur.