Ministri sllovak pranon se është propozuar për emisar të BE-së në dialogun Kosovë – Serbi

Ministri i Punëve të Jashtme të Sllovakisë, Miroslav Lajcak, ka pranuar se është propozuar për emisar të BE-së në dialogun Kosovë – Serbi

Lajme

13/02/2020 15:24

Ai ka thënë se për angazhimin e tij të ardhshëm politik do të marrë një vendim final brenda dy javëve të ardhshme, pas zgjedhjeve të përgjithshme në Sllovaki.

Lajcak i cili është përfolur si Përfaqësues i mundshëm Special i Bashkimit Evropian për dialogun Prishtinë-Beograd, ka thënë se nuk e sheh veten teksa merret me politika të brendshme, duke shfaqur kështu dëshirën e tij për t’u kthyer në zanatin e tij të më hershëm.

“Duket se do të mbetem i përkushtuar për Ballkanin gjithë jetën time. Në këtë moment, sido që të jetë, jam duke analizuar disa oferta të ndryshme, por njëra nga to është nga rajoni. S’kam ndaluar asnjëherë së qeni diplomat”, ka thënë Lajcak, shkruan agjencia sllovake e lajmeve TASR.

Ndryshe, Lajcakun këto ditë në Mynih të Gjermanisë do ta takojë edhe presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, i cili do të marrë pjesë në Konferencën e Sigurisë në Mynih përgjatë 14 dhe 16 shkurtit. /Lajmi.net/