Ministri Shala premtoi mbështetje për objektet sportive në Mitrovicë

Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, Kujtim Shala, ka vizituar sot qytetin e Mitrovicës, për t’u njohur nga afër me punët që po bëhen për realizimin e projektit në përmirësimin e hapësirave të brendshme dhe të jashtme në stadiumin “Adem Jashari”.

Lajme

01/03/2015 16:53

Ministri Shala është pritur nga kryetari i Mitrovicës, Agim Bahtiri, i cili ka njoftuar ministrin me gjendjen e përgjithshme të objekteve sportive në Mitrovicë, ku tha se ka mjaft probleme, me përjashtim të stadiumit “Adem Jashari”.

Sipas tij, si pasojë e kësaj gjendje, sportet në këtë qytet nuk janë më në nivelin që ishin dikur.

Në anën tjetër, ministri Shala ka premtuar mbështetje edhe më të madhe për objektet sportive në komunën e Mitrovicës, pasi që siç u shpreh ai, gjendja këtu është jo e mirë.

Më pastaj ministri Shala i shoqëruar nga drejtuesit komunalë dhe kryetari i Qendrës Rajonale të KMDLNJ në Mitrovicë, Halit Barani, veç tjerash, kanë përcjellë edhe ndeshjen e futbollit ndërmjet Trepçës dhe Besës së Pejës, që u zhvillua në kuadër të Superligës së Kosovës.

Në këtë ndeshje, e cila përfundoi me rezultat 0:1 në favor të mysafirëve, ka qenë prezent edhe përzgjedhësi i përfaqësues së Kosovës, Albert Bunjaki, transmeton KosovaPress.