Ministri Rrahmani në SHBA, merr premtime për përkrahje nga Departamenti i Shtetit
Ministri i Shëndetësisë i Republikës së Kosovës, Imet Rrahmani, ka zhvilluar disa takime zyrtare me rastin e vizitës së tij në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ai sot, ka zhvilluar takim me drejtorin për Evropën Jug-Qendrore në Departamentin e Shtetit të Amerikës, Thomas Yazdgerdi.

Lajme
Në takimin e sotëm u diskutua çështja e situatës aktuale politike në Kosovë, me theks të veçantë çështja e themelimit të Gjykatës Speciale, e cila tashmë është bërë shumë aktuale.
Temë diskutimi në këtë takim ishte edhe mundësia e investimeve të huaja në Kosovë, në sektorin e shëndetësisë, të cilin e drejton Imet Rrahmani. Yazdgerdi me këtë rast shprehu gatishmërinë e SHBA-ve për të përkrahur Kosovën në anëtarësimin në organizatat regjionale dhe ndërkombëtare shëndetësore, njofton komunikate Ministria e Shëndetësisë.
Gjatë takimit ministri Rrahmani dhe Thomas Yazdgerdi u morën vesh që anëtarësimi i Kosovës në organizatat ndërkombëtare shëndetësore duhet të bëhet në koordinim të plotë mes Kosovës dhe SHBA-ve.
Gjatë ditës së sotme, dhe me rastin e vizitës së tij në SHBA, ministri Rrahmani u takua edhe me Zëvendës-Drejtoreshën për Koordinim Regjional me Organizatat Ndërkombëtare, Maria Germano, me Këshilltaren e Lartë Shëndetësore në Zyrën e Organizatave Ndërkombëtare, Ann Blackwood dhe Alicia Romano zyrtare për Punë të Jashtme në Departamentin e Shtetit. Gjatë këtyre takimeve, u bisedua për bashkëpunimin dhe përkrahjen e organizatave ndërkombëtare në Kosovë.
Zyrtarë të Lartë të Departamentit të Shtetit kanë njoftuar ministrin Rrahmani për reformën shëndetësore në SHBA, dhe për sigurimin shëndetësor. Mes tjerash, ata u zotuan për përkrahje të vazhdueshme ndaj Kosovës, deri në anëtarësimin e plotë të Kosovës në organizata të ndryshme shëndetësore në nivel botëror.
Ndërsa Rrahmani, njoftoi ata lidhur me bashkëpunimin e Ministrisë së Shëndetësisë me organizatat ndërkombëtare si OBSH, UNFPA, UNICEF, Fondi Global dhe UNDP. Ai gjatë takimeve që zhvilloi poashtu i njoftoi bashkëbiseduesit për reformën shëndetësore në Kosovë, dhe përgatitjen që po bën ministria që ai drejton për fillimin e mbledhjes së premiumeve për fondin e Sigurimeve Shëndetësore.
Ndryshe kjo ishte dita e fundit të vizitës së Ministrit Imet Rrahmani në SHBA, dhe gjatë kësaj vizite ai realizoi takime të ndryshme me zyrtarë të institucioneve të shtetit amerikan. Ai morri pjesë edhe në Samitin “Measurement and Accountabillity for Results in Health”, një samit i organizuar për matjen dhe përgjegjësinë për rezultatet në shëndetësi, i cili u mbajt nga 9 deri më 11 qershor në Uashington.