Ministri Krasniqi e paditi Përparim Ramën për organizimin e “Verë n’Dimër”, nënkryetari thotë se s’ka koment për çështjen

Organizimi i festivalit “Verë n’Dimër” nga Komuna e Prishtinës ka bërë që Ministria e Administrimit dhe Pushteti Lokal, e udhëhequr nga Elbert Krasniqi, ta padisë kryetarin e kryeqytetit, Përparim Rama, si dhe drejtorin e ndërmarrjes “Sport-Marketing” në Prishtinë, Bardh Krasniqi. Në padi thuhet se MAPL vlerëson se vendimi për organizimin e tregut dimëror është në…

Lajme

04/12/2024 14:02

Organizimi i festivalit “Verë n’Dimër” nga Komuna e Prishtinës ka bërë që Ministria e Administrimit dhe Pushteti Lokal, e udhëhequr nga Elbert Krasniqi, ta padisë kryetarin e kryeqytetit, Përparim Rama, si dhe drejtorin e ndërmarrjes “Sport-Marketing” në Prishtinë, Bardh Krasniqi.

padi thuhet se MAPL vlerëson se vendimi për organizimin e tregut dimëror është në kundërshtim me dispozitat e ligjit në fuqi.

Kallëzimi penal lidhet me dyshimet për keqpërdorim të detyrës zyrtare, duke u bazuar në nenin 414 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës. Kjo padi përfshin vendimin e marrë nga Kryetari i Prishtinës, Rama më 2 tetor të këtij viti.

Vendimi në fjalë i ka dhënë Ndërmarrjes Publike Lokale Sport Marketing detyrën për të organizuar tregun veror dhe dimëror në Prishtinë, përkatësisht “Akull N’verë” dhe “Verë N’dimër.”

Ky vendim është vlerësuar si i paligjshëm nga ministria e drejtuar nga Krasniqi, pasi nuk ka kaluar për shqyrtim të ligjshmërisë brenda afateve të përcaktuara ligjore.

“Me datë 22.10.2024, Ministria e Administrimit dhe Pushtetit Lokal ka vlerësuar se vendimi është në kundërshtim me dispozitat e legjislacionit në fuqi. Sipas të njëjtit, Kryetari i Komunës së Prishtinës ka lejuar hyrjen në fuqi të vendimit pa kaluar afati për vlerësimin e ligjshmërisë nga MAPL”, thuhet në kallëzimin penal.

MAPL ka deklaruar se veprimet e ndërmarra nga Kryetari i Komunës dhe Kryeshefi i Ndërmarrjes Publike kanë sjellë përfitime të padrejta për një operator ekonomik privat, konkretisht për kompaninë Momo Caffe and More Shpk.

Në arsyetim, ministri ka thënë se Rama me dashje nuk e ka pritur vlerësimin e ligjshmërisë së vendimit të Ministrisë. Ai i ka akuzuar Ramën e Krasniqin për “keqpërdorim të detyrës zyrtare”.

“Ndërmarrja Sport Marketing, nënshkruan kontratë me një operator ekonomik, në këtë rast Momo Caffe and More Shpk, në Prishtinë për organizimin e tregut veror dhe dimëror në periudhën prej pesë vitesh me çmimin prej 4900 euro për një shtëpizë. Ashtu siç e parasheh kontrata, atëherë kur ndërmarrja ndërprenë kontratën, si dëmshpërblim do të paguajë 50% të shumës së mbetur nga kontrata. Në rrethanat e këtilla të paligjshmërisë, ky është rezultati që kërcënon Komunën si autoritet publik dhe njëkohësisht buxhetin e Komunës i mbledhur nga taksat e qytetarëve”,thuhet ndër të tjerash në dokumentin e bërë publik sot.

Ministria gjithashtu argumenton se, në përputhje me Ligjin Nr. 03/L-040 për Vetëqeverisjen Lokale dhe Ligjin Nr. 03/L-087 për Ndërmarrjet Publike, Kryetari i Komunës nuk ka kompetencë të transferojë përgjegjësi te ndërmarrjet publike për organizimin e aktiviteteve tregtare.

Sipas dokumentit të kallëzimit penal, këto veprime konsiderohen keqpërdorim i detyrës zyrtare, me pasoja të rënda financiare për Komunën.

Në kallëzimin penal, Ministri Krasniqi thekson se veprimet e ndërmarra nga zyrtarët përgjegjës përbëjnë një rast të pastër të shkeljes së ligjit, duke krijuar pasuri të paligjshme për të tretët. Ai ka kërkuar nga organet përkatëse të drejtësisë që të ndërhyjnë për të parandaluar dëmet e mëtejshme në buxhetin e Komunës së Prishtinës dhe për të siguruar që përgjegjësit të dalin para ligjit.

Në lidhej me këtë padi, lajmi.net ka tentuar të marrë një deklarim nga nënkryetari i Prishtinës, Alban Zogaj. Por pavarësisht insistimit, Zogaj tha se nuk ka koment në lidhje me këtë çështje.

“Për momentin nuk ka ndonjë koment”, deklaroi Zogaj.

Kurse, gastronomët që do të operojnë në këtë treg për 45 ditë do të paguajnë mbi 4500 euro për shfrytëzimin e një shtëpize, teksa ka pasur ankesa për çmimin e lartë pasi po shihet si shumë e papërballueshme për bizneset.

Festivali që tashmë është bërë i përvjetshëm, këtë vit ka filluar më 1 dhjetor dhe pritet të ofrojë muzikë e argëtim për shumë të rinj. Ky festival zakonisht vitet që kemi lënë pas niste rreth 14-15 dhjetor, por këtë vit siç duket gjithçka “nisi” më herët./Lajmi.net/