“Ministri ka qenë i shoqëruar nga bashkëshortja dhe fëmijët” – Avokati i Elbert Krasniqi mohon akuzat për kanosje, thotë se rasti është politik
Ministri në detyrë i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, po hetohet nga Prokuroria Themelore në Pejë për një incident të ndodhur më 23 nëntor, ku ai dyshohet se ka kanosur dy persona në një situatë trafiku. Zëdhënësi i Prokurorisë, Shkodran Nikçi, konfirmoi se rasti është hapur për veprën penale “Kanosje”, duke theksuar se hetimet…
Lajme
Ministri në detyrë i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, po hetohet nga Prokuroria Themelore në Pejë për një incident të ndodhur më 23 nëntor, ku ai dyshohet se ka kanosur dy persona në një situatë trafiku.
Zëdhënësi i Prokurorisë, Shkodran Nikçi, konfirmoi se rasti është hapur për veprën penale “Kanosje”, duke theksuar se hetimet po vazhdojnë në koordinim me Policinë e Kosovës.
“Me urdhër të prokurorit është iniciuar rast për veprën penale ‘Kanosje’. I dyshuari është një ministër në detyrë i Republikës së Kosovës. Për këtë çështje jemi duke ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme hetimore në koordinim të plotë me Policinë e Kosovës. Dyshohet se gjithçka ka ndodhur në një rrugë, derisa ka qenë e bllokuar për shkak të trafikut, dhe sipas tyre i njëjti ka dalë nga vetura dhe i ka kanosur”, tha Nikçi.
Gjithashtu raportohet se sipas viktimave, Krasniqi dyshohet se ka vendosur dorën në armë gjatë incidentit.
Nga ana tjetër, avokati i ministrit, Artan Kastrati për lajmi.net thotë se Krasniqi i mohon të gjitha akuzat.
“Lidhur me rastin, organet e drejtësisë janë duke kryer punën e tyre dhe ne qëndrojmë pranë deklaratës që kemi dhënë mbrëmë duke mohuar në tërësi kanosjen nga ana e klientit tim. Sapo të ketë zhvillime të reja, do të prononcohemi”, tha Kastrati.
Ai theksoi se ministri ishte me familjen në momentin e ngjarjes: “E rëndësishme është se klienti im ka treguar gatishmëri dhe bashkëpunim që nga fillimi në zbardhjen e së vërtetës. Në momentin e ngjarjes, ministri ka qenë i shoqëruar nga bashkëshortja dhe fëmijët, gjë që e bën rastin edhe më të ndjeshëm.”
Avokati ngriti edhe dyshime për motivim politik të rastit: “Duhet theksuar gjithashtu se denoncuesit janë persona me precedent dhe të njohur për organet e drejtësisë, gjë që përforcon dyshimin se rasti është tendencioz dhe politik, sidomos për faktin kur dihet se jemi në prag të zgjedhjeve.”
Hetimet rreth incidentit janë duke vazhduar./lajmi.net/