Ministri gjerman i takon të vetët në Kosovë

Ministri gjerman i Mbrojtjes, Thomas De Maiziere qëndroi në Kosovë. U takua me Komandantin e KFOR’it dhe ushtarët gjermanë, por injoroi drejtuesit e institucioneve vendore.

Lajme

11/12/2013 11:43

Ministri Gjerman i Mbrojtjes, Thomas De Maiziere dhe pesë anëtarë të Parliamentit gjerman vizituan shtabin kryesor të KFOR’it ku u takuan me Komandantin e KFOR’it, Gjeneral Major Salvatore Farina.

Një njoftim nga KFOR bën të ditur se Ministri gjerman është informuar në shtabin kryesor të KFOR’it për operacionet aktuale dhe situatën politike në Kosovë.

Komandanti i KFOR’it theksoi rëndësinë e zgjedhjeve lokale si një sukses të KFOR-it dhe një arritje për organizatat vendore të sigurisë.

“Ky qëllim i rëndësishëm u arrit duke iu falënderuar gjithashtu mbështetjes së madhe të ofruar nga kontigjenti gjerman i përbërë nga 685 ushtarakë në të gjithë KFOR-in. Gjeneral Major Salvatore Farina falënderoi Minstrin për kontributin e rëndësishëm dhënë KFOR’it, përkushtimin dhe profesionalizmin e trupave gjermane”, thotë komunikata e KFOR’it.

Ministri Gjerman i Mbrojtjes konfirmoi mbështetjen e vendit të tij për përpjekjet e KFOR’it në mënyrë që të sigurojë përmbushjen e misionit të NATO’s dhe në mbështetje të progresit për të gjithë popullin e Kosovës.

Ministri Gjerman feston Krishtlindjet me ushtarët gjermanë në Kosovë

 

Në përfundim të vizitës së tij në shtabin kryesor të KFOR-it, Ministri Gjerman i Mbrojtjes dhe vizitorët e tjerë shkëmbyen urime për Krishtlindje dhe festat e fundvitit me ushtarët gjerman, thotë komunikata e KFOR.

Vizita e Ministrit Gjerman të Mbrojtjes ka kaluar në heshtje në Prishtinë. Ai nuk është takuar me asnjë nga drejtuesit e institucioneve të vendit.