Ministri Çeku konfirmon rrahjen tek Ministria e Kulturës: Dhuna ose sulmi fizik janë të papranueshme
Të martën, me 12 nëntor, në ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit thuhet se ka ndodhur një përleshje fizike mes dy zyrtarëve. Rreth këtij raportimi, pas mbledhjes së Qeverisë së Kosovës, në konferencën për media, ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku ka deklaruar se faktet janë duke u kontrolluar dhe se Policia e Kosovës po kryen…
Lajme
Të martën, me 12 nëntor, në ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit thuhet se ka ndodhur një përleshje fizike mes dy zyrtarëve.
Rreth këtij raportimi, pas mbledhjes së Qeverisë së Kosovës, në konferencën për media, ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku ka deklaruar se faktet janë duke u kontrolluar dhe se Policia e Kosovës po kryen pjesën e saj, ndërsa informata të tjera tha se ende nuk ka.
“Informatat jemi duke i marrë, faktet duke i kontrolluar. Besoj që edhe policia po e kryen pjesën e saj të punës që është shumë e rëndësishme në këto raste. Nuk mundem me dhënë më shumë informata, sepse dhe unë jam duke i marrë ato informata në çdo minutë e çdo orë që po kalon tashmë”, ka thënë Çeku.
Sipas tij, dhuna apo sulmi fizik janë të papranueshme dhe të dënueshme e sidomos brenda institucioneve të shtetit.
Çeku, ka theksuar se në momentin që ka informata të sakta se çfarë ka ndodhur do të ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme.
“Dhuna ose sulmi fizik janë të papranueshme, të pa tolerueshme dhe absolutisht të dënueshme. Askush, pa marrë parasysh kontekstin rrethanat ose arsyet mbrapa, nuk ka të drejtë për të përdorur dhunë ndaj dikujt tjetër, sidomos brenda institucioneve të shtetit. Në momentin që i kemi informatat e sakta se çfarë ka ndodhur do të ndërmarrim të gjitha veprimet e nevojshme”, ka theksuar ai.