Ministrat e BE-së mbajnë takim: Mali i zi dhe Shqipëria më afër anëtarësimit, Kosova kërkon pyetësorin dhe statusin e vendit kandidat
Pas takimit joformal të ministrave për çështje europiane të BE-së ku morën pjesë edhe ministra nga Ballkani Perëndimor, Komisionerja për Zgjerim, Marta Kos, në një konferencë për media tha se Shqipëria e Mali i Zi janë dy vendet kandidate që përparuan më herët drejt anëtarësimit në BE. Ajo tha se për vendet tjera vlejnë kriteret…

Lajme
Pas takimit joformal të ministrave për çështje europiane të BE-së ku morën pjesë edhe ministra nga Ballkani Perëndimor, Komisionerja për Zgjerim, Marta Kos, në një konferencë për media tha se Shqipëria e Mali i Zi janë dy vendet kandidate që përparuan më herët drejt anëtarësimit në BE.
Ajo tha se për vendet tjera vlejnë kriteret që bazohen në meritokraci dhe tha se duhet shumë punë për të përmbushur objektivat.
Gazetarët e pyetën Kos nëse afati i përmendur për vitin 2030 është synim realist për të gjitha vendet apo vetëm për Shqipërinë dhe Malin e Zi.
Kos, që më parë në konferencë përmendi këto dy vende, tha se gjatë takimit kanë folur për të gjitha vendet kandidate.
“Unë përmenda vetëm dy vende tani në konferencën për shtyp, por në ministerial folëm për të gjitha vendet. Kishim gjithashtu përfaqësues nga të gjitha vendet. I kam përmendur ato dy vende sepse janë më të avancuara. Siç e dini, Mali i Zi i ka hapur tashmë të gjithë kapitujt, kështu që tani jemi vetëm në fazën e mbylljes. Dhe perspektiva realiste, nga këndvështrimi teknik, është që ne mund t’i përfundojmë negociatat në fund të vitit të ardhshëm, 2026, që do të thotë se, nëse shohim kohën mesatare të ratifikimit të traktateve të anëtarësimit, një deri në dy vjet, atëherë Mali i Zi mund të bëhet vend anëtar”.
Për Shqipërinë, Kos tha se kanë mbetur vetëm edhe dy kapituj për t’u hapur dhe kjo do të ndodhë në vjeshtë dhe se duhet shumë punë për të qenë në gjendje t’i mbyllim kapitujt.
“Por, nëse e bëjmë këtë në këtë mënyrë, dhe Shqipëria po i bën reformat shumë mirë, atëherë ne mund të përfundojmë nga pikëpamja teknike negociatat në fund të vitit 2027. Pra, po, ende gjatë kohës së këtij Komisioni aktual, Shqipëria mund të bëhet anëtare e BE-së”, tha Kos.
“Për të tjerët, siç e dini, gjithmonë për të gjithë është bazuar në meritë. Ajo që shohim qartë tani është se, nëse udhëheqja e vendit kandidat është vërtet e angazhuar dhe ka qenë në gjendje t’u tregojë qytetarëve përfitimet e zgjerimit, atëherë edhe reformat po shkojnë mirë. Dhe ndoshta ndonjëherë nuk e theksojmë mjaftueshëm këtë, rolin e udhëheqjes, që do të thotë, për mua, se si ata mund të arrijnë në një pikë të ashtuquajtur të butë, kur njerëzit, qytetarët do të ndiejnë se kjo po ndodh vërtet”.
Kos përmendi edhe rezultatin e anketave me qytetarët e këtyre dy vendeve se sa janë pro anëtarësimit në BE. Shqiptarët në këtë drejtim ishin shumë më lart në përqindje sesa malazezët.
Ndërkaq, për Serbinë gazetarët e pyetën edhe për dorështrëngimin mes presidentit serb Aleksandar Vuçiq me homologun rus Vladimir Putin.
Kos tha se janë shumë kritikë ndaj mospërshatjes së politikës së jashtme e të sigurisë me Unionin nga ana e Serbisë.
“Sa i përket Serbisë, jo. Ne nuk po hezitojmë aspak. Ne jemi shumë kritikë. Dhe jemi në një shkëmbim të vazhdueshëm me qeverinë e re serbe. Ka disa reforma që ata duhet t’i zbatojnë. Ata i kanë dorëzuar tre reforma për ligjin e medias. Ata ende duhet të zbatojnë reformat, për të cilat u dakorduam që në prill, për sistemin zgjedhor. Dhe, sigurisht, ne gjithashtu presim që ata të përfshijnë organizatat e shoqërisë civile në procesin e anëtarësimit. Dhe ne të gjithë e mbështesim rrugën e Serbisë drejt anëtarësimit në BE, por ata gjithashtu duhet të përmbushin [reformat]. Dhe, sigurisht, ne jemi gjithashtu të shqetësuar për median e lirë. Pra, detyra jonë është t’i mbështesim ata, dhe këtë po e bëjmë, ndërkohë që ata duhet të zbatojnë [reformat], veçanërisht në lidhje me, në përgjithësi duke folur, sundimin e ligjit, luftën kundër korrupsionit dhe median e lirë”.
Nga Kosova, në këtë takim ka marrë pjesë zëvendëskryeministri në detyrë, Besnik Bislimi. Në tryezën “Kriteret e Kopenhagës dhe integrimi gradual” Bislimi ka përmendur aplikimin e Kosovës për anëtarësim në BE në vitin 2022 duke kërkuar statusin e vendit kandidat.
“Institucionet tona kanë dëshmuar nivelin e lartë të përgatitjes, andaj dhe është e nevojshme vlerësimi i tyre në bazë të meritokracisë, duke pranuar pyetësorin dhe duke marrë statusin e vendit kandidat”, ka theksuar Bislimi.