Ministra, deputetë e zyrtarë të VV-së mbushën profilet me lajmin për policin Idriz Gashi-Policia e suspendoi me një raportim!

Bujë të madhe bëri këto ditë emri i zyrtarit policor, Idriz Gashi. Hetuesi policor për mbi 20 vjet në Policinë e Kosovës u përfshi në një publikim, aspak të mirë për të dhe për punën të cilën e kryen. Gashi u raportua se ishte bërë pjesë e një tubimi partiak, fushatë zgjedhore e PDK-së në…

Lajme

10/01/2025 13:45

Bujë të madhe bëri këto ditë emri i zyrtarit policor, Idriz Gashi.

Hetuesi policor për mbi 20 vjet në Policinë e Kosovës u përfshi në një publikim, aspak të mirë për të dhe për punën të cilën e kryen.

Gashi u raportua se ishte bërë pjesë e një tubimi partiak, fushatë zgjedhore e PDK-së në Skenderaj.

Por kjo çështje doli të jetë ndryshe.

Fotografitë e publikuara nga Kosovanews ku thuhej se zyrtari policor mori pjesë në këtë tubim ishin montuar.

Madje fotografi ku shihej ai ishin nga një organizim tjetër, me muzikë e shoqëri dhe jo nga tubimi elektoral në Skenderaj.

Se raportimi për pjesëmarrje të tij në tubim elektoral nuk ishte i vërtetë është kuptuar sot edhe nga organet e hetuesisë dhe drejtësisë në vend.

Avokati i Gashit, Arianit Koci njoftoi se është vërtetuar se ai nuk mori pjesë në tubim elektoral dhe i njëjti do të kthehet në aktivitetet e tij të policisë.

“Drejtësia gjithmonë triumfon, dhe kësaj here, fatmirësisht, pa vonesë. Hetuesi policor Idriz Gashi nuk ka marrë pjesë në asnjë tubim elektoral.Si rezultat, siç kam parashikuar, rreshteri Gashi rikthehet në detyrat e tij policore”,tha Koci.

Por është e çuditshme se si në fakt u përdor rasti i këtij zyrtari policor.

Për disa ditë rresht, nuk mbeti thuajse asnjë zyrtar shtetëror nga Qeveria e Kosovës, e nga deputetët të VV-së që nuk shpërndau këtë lajm.

Mund të thuhet lirshëm se nga pozita ky mund të ketë qenë lajmi më i shpërndarë në profile personale.

Ministra, deputetë, zyrtarë të VV-së e shumëkush e shpërndau këtë lajm- duke treguar “krenari” për zbulimin që kinse u bë.

Të njëjtit shkuan aq larg sa u munduan të “Degradojnë” komplet figurën e zyrtarit në fjalë.

Këtu u përfshi edhe ministri Hekuran Murati, e para e drejtësisë në vend, Albulena Haxhiu, e njohura e VV-së Dejona Mihali, e emra të tjerë profilet e të cilëve u mbuluan nga postimi i njëjtë.

Raportimi i medias në fjalë sot doli të mos ketë qenë i vërtetë, e njësoj edhe përkrahja e këtyre zyrtarëve të Lëvizjes Vetëvendosje.

Ndryshe hetuesi policor Idri Gazhi njihet si një prej zyrtarëve policorë që hetoi rastin e famshëm të Rezervave shtetërore, ku përfshihen zyrtarë të shumtë të vendit për milionë euro dëme ndaj shtetit.

Nuk dihet se çfarë do të ndodhë tash e tutje në lidhje me këtë rast dhe raportimin e rrejshëm që është bërë dhe se si Policia e Kosovës suspendoi një zyrtar policor duke u bazuar në diçka të pavërtetë./Lajmi.net/

Vërtetohet se rreshteri Idriz Gashi s’mori pjesë në tubimin e PDK-së, rikthehet në detyrat policore