Minatorët e Trepçës kërkojnë rritje pagash

Sindikata e Pavarur e Minatorëve të Trepçës ka bërë publike një kërkesë drejtuar menaxhmentit të ndërmarrjes dhe institucioneve përkatëse, duke kërkuar rritje të pagave dhe masa konkrete për përmirësimin e kushteve të punës. Në komunikatën e sindikatës thuhet se minatorët kanë treguar durim dhe solidaritet ndër vite, duke kontribuar me përkushtim në rritjen e prodhimit,…

Lajme

04/11/2025 12:01

Sindikata e Pavarur e Minatorëve të Trepçës ka bërë publike një kërkesë drejtuar menaxhmentit të ndërmarrjes dhe institucioneve përkatëse, duke kërkuar rritje të pagave dhe masa konkrete për përmirësimin e kushteve të punës.

Në komunikatën e sindikatës thuhet se minatorët kanë treguar durim dhe solidaritet ndër vite, duke kontribuar me përkushtim në rritjen e prodhimit, megjithëse nuk kanë kërkuar rritje pagash në periudha të mëparshme, ndryshe nga sektorë të tjerë që kanë përfituar përmirësime, transmeton lajmi.net.

“Gjatë vitit të fundit, puna jonë ka sjellë rritje të dukshme të prodhimit. Ky sukses nuk do të kishte ndodhur pa përkushtimin e minatorëve. Prandaj, kërkojmë që puna dhe sakrifica jonë të vlerësohen dhe të shpërblehen me rritje pagash, po ashtu siç po ndodh në sektorët e tjerë publikë dhe privatë,” thuhet në kërkesën e sindikatës.

Minatorët theksojnë se çdo ditë përballen me rreziqe të larta dhe kushte të vështira pune, shpeshherë pa mjete të mjaftueshme sigurie, ndërkohë që mungon një ligj i veçantë që do t’i mbronte dhe do të rregullonte statusin e tyre.

Sindikata kërkon nga menaxhmenti i Trepçës që të marrë vendime konkrete për mirëqenien e punëtorëve, duke përfshirë rritjen e pagave dhe respektimin e sakrificës së minatorëve, të cilët mbeten shtylla kryesore e ndërmarrjes.

“Është koha që menaxhmenti të marrë vendime konkrete për mirëqenien tonë: rritje pagash dhe respekt për punën dhe sakrificat që bëjmë çdo ditë,” përfundon deklarata e Kryesisë së Sindikatës së Pavarur të Minatorëve të Trepçës./lajmi.net/