Mimoza Kusari Lila: Do të provojmë ta formojmë Qeverinë e re, por jo me çdo kusht – bashkëpunimi me Nismën çështje për diskutim
Kryetarja e Alternativës, Mimoza Kusari Lila që ishte në koalicion parazgjedhor me Lëvizjen Vetëvendosje dhe Partinë Guxo, tha se koalicioni i tyre nuk do ta bëjë me çdo çmim Qeverinë e re. Kusari thotë se me 48 mandate janë përballë sfidës për të siguruar 61 votat minimale të nevojshme për qeverisjen e re, transmeton lajmi.net.…

Lajme
Kryetarja e Alternativës, Mimoza Kusari Lila që ishte në koalicion parazgjedhor me Lëvizjen Vetëvendosje dhe Partinë Guxo, tha se koalicioni i tyre nuk do ta bëjë me çdo çmim Qeverinë e re.
Kusari thotë se me 48 mandate janë përballë sfidës për të siguruar 61 votat minimale të nevojshme për qeverisjen e re, transmeton lajmi.net.
“Kjo na lë me shqyrtimin e mundësive në vazhdimësi të arritjes së 61 votave, por jo me çdo kusht dhe jo me çdo çmim të koalicione jo parimore apo të pazareve të cilat mund të kenë një synim për aktualizim të partive të tjera por jo për arritje të suksesshme të programit qeverisës”, tha Kusari-Lila për A2 CNN.
Tutje Lila tha se çështja për bashkëpunim me Nismën e Fatmir Limajt është për t’u diskutuar megjithatë si tha ajo nuk mjafton vetëm gatishmëria.
“Besoj që është një çështje e diskutimit të mëtutjeshëm por nuk diskutohet vetëm dëshira ose gatishmëria, do të diskutohen çështjet më përmbajtësore, ne nga përvojat e deritashme në 4 vjeçarin përkundër që kemi qenë 3 subjekte të ndryshme brenda një liste dhe një grupi parlamentar asnjëherë nuk ka ndodhur diskutime mbi pazaret politike, mbi hapësirën në qeverisjen në kuptimin e forcës që i takon një parti ose tjetrës, kemi qenë të gjithë të fokusuar në program, edhe kjo mbetet prap orientimi ynë në bazë të parimeve dhe të programit që janë të parapara pa kërkesa ose pa insistime të cilat do të nënkuptonin pazare të nivelit tjetër”, tha ajo.
Kujtojmë se procesi i numërimit të votave nga KQZ ka përfunduar teksa pritet që së shpejti të nisin diskutimet për formimin e Qeverisë së re të Kosovës./Lajmi.net/