​Milorad Dodik zyrtarisht nuk lejohet të vizitojë Poloninë

Kreu i Republikës Serbe, pro-rusi Milorad Dodik zyrtarisht nuk lejohet më të vizitojë Poloninë, pasi sanksionet e shpallura ndaj tij nga Varshava zyrtare më 12 maj janë aktive. Polonia nuk ka vendosur sanksione ndaj zyrtarëve të tjerë të Republikës Serbe. Në “listën e zezë” është vetëm Dodik, por jo edhe kryeministri Radovan Vishkoviq apo kryetari…

Bota

29/05/2025 18:45

Kreu i Republikës Serbe, pro-rusi Milorad Dodik zyrtarisht nuk lejohet më të vizitojë Poloninë, pasi sanksionet e shpallura ndaj tij nga Varshava zyrtare më 12 maj janë aktive.

Polonia nuk ka vendosur sanksione ndaj zyrtarëve të tjerë të Republikës Serbe. Në “listën e zezë” është vetëm Dodik, por jo edhe kryeministri Radovan Vishkoviq apo kryetari i Asamblesë së entitetit Nenad Stevandiq.

“Ju informojmë se të dhënat e presidentit Milorad Dodik tashmë janë përfshirë në listën e të huajve qëndrimi i të cilëve në territorin e Republikës së Polonisë është i padëshirueshëm. Baza ligjore për këtë masë janë rregulloret kombëtare të hyrjes – Ligji për të Huajt. Aktualisht, asnjë procedurë e ngjashme nuk është nisur ndaj përfaqësuesve të tjerë të autoriteteve të RS”, thuhet në përgjigjen e Ministrisë së Jashtme të Polonisë për Politicki.ba.

Polonia është vendi i pestë evropian që shpall Dodik person non grata. Britania e Madhe më parë e bëri këtë, dhe së fundmi Austria dhe Gjermania.

Varshava njoftoi se sanksionet ndaj Dodik u vendosën për shkak të veprimeve të tij që minojnë rendin kushtetues të Bosnjë-Hercegovinës, raporton KosovaPress.

Qeveria e Lituanisë ka vendosur sanksione ndaj Dodik, kryeministrit Radovan Vishkoviq dhe kryetarit të Asamblesë Kombëtare të Republikës Serbe Nenad Stevandiq, duke i ndaluar hyrjen në vend deri më 18 prill 2030, si përgjigje ndaj veprimeve të tyre, të cilat kërcënojnë stabilitetin, sovranitetin dhe integritetin territorial të Bosnjës dhe Hercegovinës, si dhe Marrëveshjen e Dejtonit.

Ministria e Punëve të Jashtme të Lituanisë deklaroi se sanksionet u vendosën pas konsultimeve me partnerët brenda Bashkimit Evropian dhe NATO-s.