Militanti i Vetëvendosjes që ofendonte veteranët caktohet Drejtor i Agjencisë për menaxhimin e pasurisë së konfiskuar
Punësime, ngritje në detyrë, e rehati për njerëzit e pushtetit bëhet çdo ditë. E së fundi, ministrja në detyrë e Drejtësisë, Donika Gërvalla- Schwarz mori vendim që Faruk Dakajn ta emërojë si ushtrues detyre të Drejtorit të Përgjithshëm në Administrimin e Pasurisë së Sekuestruar dhe të Konfiskuar. Faruk Dakaj më herët ishte Drejtor në Qendrën…
Lajme
Punësime, ngritje në detyrë, e rehati për njerëzit e pushtetit bëhet çdo ditë.
E së fundi, ministrja në detyrë e Drejtësisë, Donika Gërvalla- Schwarz mori vendim që Faruk Dakajn ta emërojë si ushtrues detyre të Drejtorit të Përgjithshëm në Administrimin e Pasurisë së Sekuestruar dhe të Konfiskuar.
Faruk Dakaj më herët ishte Drejtor në Qendrën e Paraburgimit në Prizren, por njëkohësisht më tepër njihet edhe si militant i partisë në pushtet, Lëvizja Vetëvendosje. Dakaj ishte zgjedhur anëtar i Kryesisë së VV-së në Prizren në vitin 2022.
Por i njëjti bënte edhe deklarime krejtësisht të pahijshme.
Pikërisht më 2022, Faruk Dakaj kishte ofenduar veteranët e UÇK-së të cilët patën protestuar për pagën minimale.

“Kurre, asnje proteste kunder Gjykates Speciale, e vazhdimisht protesta per me fitu naj lek. Keta jane kreret e shoqatave qe nuk perfaqesojne luftetaret. Tarrnakopa”, pati shkruar ai.
Madje Faruk Dakaj ishte i njohur për autoritetet e hetuesisë e sigurisë në vend.
Ai ishte arrestuar më 2016. I njëjti ishte arrestuar nën dyshimin se kishte marrë pjesë në aksionin për dëmtimin e veturave të EULEX-it më 2009.
Sipas LVV-së, ky arrestim ishte në vazhdën e fushatës së pushtetit për t’i arrestuar aktivistet opozitarë, duke “keqpërdorur kështu skajshmërisht sistemin e drejtësisë”.
Në reagimin e saj ndaj këtij arrestimi, Vetëvendosje thotë se Qeveria e Kosovës është në panik për shkak të daljes masive të qytetarëve në protesta kundër saj.
“Marrëveshja për “Zajednicën” dhe ajo për demarkacionin me Malin e Zi asnjëherë nuk do të mund të zbatohen në Kosovë.Qeveria antikushtetuese nuk mund të vazhdojë duke përjashtuar dhe arrestuar opozitën”, thuhet në këtë reagim.
Faruk Dakaj ishte në mesin e 27 aktivistëve të Vetëvendosjes që akuzohen për dëmtimin e veturave të EULEX-it në një aksion të ndërmarrë më 25 gushtit 2009./Lajmi.net/



