Militantët islamikë, krimi i organizuar dhe diaspora e Ballkanit në Evropë

Në dritën e sulmeve terroriste në Paris që ndodhën më 13 nëntor, vendet e Evropës kanë rritur dukshëm masat e sigurisë dhe janë në gjendje gatishmërie për sulme tjera.

Opinion

10/12/2015 23:00

Vendet e Ballkanit Perëndimor kanë ngritur në mënyrë të ngjashme masat e sigurisë, pasi agjencitë shtetërore kanë marrë alarme nga partnerët ndërkombëtarë dhe nga organizatat e tyre të inteligjencës për sulme të mundshme të stilit të Parisit nëpër qytete të rajonit (Ora News, 18 nëntor). Që nga shfaqja e Shtetit Islamik dhe raporteve të vazhdueshme të luftëtarëve nga Ballkani, të cilët i janë bashkuar organizatës terroriste në Siri dhe Irak gjatë viteve të fundit, analistët vendorë janë përpjekur të sigurojnë profilet e luftëtarëve lokal të cilët i janë bashkuar kësaj organizate xhihadiste. Ata kanë arritur në përfundim, se shumica e tyre kryesisht kanë të kaluar kriminale dhe vijnë nga zonat e varfra, por janë mobilizuar dhe frymëzuar nga disa imamë radikalë, të cilët shërbejnë si lidhje kryesore mes vullnetarëve dhe grupeve xhihadiste jashtë vendit. Megjithatë, deri më tani ka pasur një fokus relativisht më të ulët për rolin e supozuar për organizimin e grupeve të krimit nga rajoni që kanë operuar me ndihmën e celulave militante në Evropën Perëndimore, ose në përfshirjen e diasporës së Ballkanit në ofrimin e armëve për grupet terroriste në Perëndim.

Një studim i realizuar së fundmi nga Instituti Flaman i Paqes me seli në Bruksel, ka arritur në përfundim se shumica e armëve të zjarrit që përdoren për sulme të dhunshme, përfshirë të shtënat në Paris, e bëjnë rrugën e tyre drejt Evropës nëpërmjet Ballkanit Perëndimore, nga grupet vendase që i shfrytëzojnë rrugët ekzistuese të rajonit për trafikim të drogës ose aktivitete tjera të paligjshme. “Policia ka vënë re një rritje të armëve luftarake siç janë Kallashnikovi gjatë viteve të fundit, kurse të dhënat zyrtare tregojnë se pjesa më e madhe e këtyre armëve vijnë nga Ballkani”, ka deklaruar Nils Duquet, bashkautor i studimit në një intervistë dhënë televizionit shqiptar Top-Channel në Tiranë (Top Channel, 21 nëntor).

Grupet e organizuara kriminale, terrorizmi dhe diaspora e Ballkanit

Që nga shpërbërja e ish-Jugosllavisë dhe rënia e regjimit komunist në Shqipëri në vitet e 90-ta, sundimi i dobët i ligjit dhe korrupsioni kanë forcuar rrjetet e kontrabandës në rajon, shumë prej të cilave shpesh janë të lidhura ngushtë me zyrtarët publikë. Struktura të tilla të dobëta shtetërore për të luftuar krimin e organizuar dhe nivelin e lartë të korrupsionit, u kanë mundësuar disa grupeve të shfaqen dhe dominojnë trafikun e drogës dhe armëve në tregjet evropiane, por edhe të krijojnë marrëdhënie të rëndësishme me organizatat terroriste, siç kanë bërë në të kaluarën me kurdët e PKK-së apo al-Kaedën. Rasti më i dukshëm është rritja e mafies shqiptare dhe lidhja me Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës në fund të viteve të 90-ta, që u zgjerua nga rënia ekonomike e Shqipërisë pas rënies së “piramidës” në vitin 1997. Kryengritjet e dhunshme kanë quar në plaçkitjen e qindra depove të ushtrisë dhe policisë në gjithë vendin (Bota Sot, 25 tetor). Mbi 100.000 armë besohet se janë vjedhur gjatë disa muajve të asaj kohe– shumica e të cilave ende përdoren në konflikte ose riciklohen në tregjet evropiane. Disa prej tyre besohet se kanë përfunduar në duart e organizatave terroriste, duke përfshirë edhe celulat e fjetura me seli në shtetet perëndimore, ku Belgjika ka tregun më të madh të zi (Financial Times, 19 nëntor). Për më tepër, rrjetet  rajonale të krijuara gjatë viteve nga këto grupe kriminale dhe politike, duke përfshirë edhe ato në zona tri-kufitare midis Shqipërisë, Kosovës dhe Maqedonisë, besohet gjithashtu të jenë të “lidhura drejtpërdrejt me zhvillimet operacionale të celulave militante islamike në Britani të Madhe”, shpesh për shkak të dominimit të tyre në kontrabandimin e heroinës dhe dy llojeve tjera të drogës dhe trafikimit të qenieve njerëzore. Sipas disa të dhënave, heroina nga Ballkani llogaritet se kap shumën e 20 miliardë dollarëve në vit, që gjithashtu financon grupet e ndryshme si Hezbollahu dhe al-Kaeda (The New York Times, 28 prill 2014).

Në këtë kontekst, nuk është çudi se grupet militante islamike, duke përfshirë Shtetin Islamik, kërkojnë të shfrytëzojnë celulat bazë të themeluara brenda vendit në Ballkanin Perëndimor, por edhe komunitetet e diasporës bazë dhe rrjetet e trafikimit diku tjetër në Evropë. Sipas një studimi të udhëhequr nga BE-ja, duke kërkuar lidhjet midis grupeve të organizuara kriminale dhe terrorizmit në Evropën Perëndimore, përveç komponentëve gjeografik që lidhin terrorizmin dhe krimin e organizuar në Ballkan, ekziston një rritje e ndjeshme që brezi i dytë dhe i tretë i diasporës së Ballkanit të përfshihen më shumë me komunitetet radikale islamike me bazë në Perëndim. Ky fakt është veçanërisht shqetësues për diasporën e Ballkanit në Austri, Zvicër, Itali dhe në Mbretërinë e Bashkuar, të cilët kanë një numër të rinjve, kryesisht shtetas të Shqipërisë, Kosovës dhe Malit të Zi, ku përveç Ballkanit i bashkohen Shtetit Islamik edhe në Siri dhe Irak. Për shembull, në Zvicër, një përqindje e konsiderueshme e luftëtarëve të huaj janë me origjinë ballkanike, veçanërisht nga Kosova, ku popullsia emigrante e të cilës përbën një pjesë të madhe të myslimanëve në vend (CTC Sentinel, 30 korrik 2014). Edhe pse sipas ekspertëve, shumë prej komuniteteve shqiptare myslimane në Evropë, duke përfshirë atë në Zvicër, kanë qasje në financim të pavarur për nevojat e tyre fetare, ata nuk janë imun ndaj ndikimit të mirë financuar vehabist dhe salafistë, përmes fondacioneve dhe xhamive që përfaqësojnë më shumë këndvështrimin radikal fetarë. “Shumë komunitete fetare luftojmë mbi udhëheqjen që do ti përfaqësojë myslimanët, duke i bërë praktikuesit shqiptarë më të ndjeshëm dhe të uzurpuar nga financat e dyshimta dhe të tërhequr në ideologjinë radikale”, thotë një zyrtarë i sigurisë me seli në Tirani, gjatë intervistimit të këtij autori i cili deshi të mbetet anonim.

Ballkani si rrugë tranzite për terroristët

Një numër i operacioneve policore kundër-terrorizmit kanë zbuluar këto lidhje, të cilat tani janë duke u bërë gjithnjë më të dukshme për agjencitë e sigurisë në gjithë Evropën. Në korrik të vitit 2014, policia italiane në bashkëpunim me autoritetet shqiptare, kanë kryer një operacion të madh kundër një grupi të mbështetësve të Shtetit Islamik, të cilët kishin rekrutuar dhe ndihmuar disa luftëtarë të huaj të kalojnë përmes Turqisë, për t’u bashkuar me Shtetin Islamik në Siri (Shqiptarja (Tiranë), 1 korrik). Në mesin e të arrestuarve, shumica ishin shtetas shqiptarë dhe italianë të cilët dyshoheshin se kanë ndihmuar në udhëtimin e luftëtarëve të huaj, duke përfshirë atë të Maria Gulia Sergio, një italiane e konvertuar në myslimane dhe bashkëshorti i saj shqiptar, Aldo Kobuzi. Hetimet kanë zbuluar se këta individë kanë udhëtuar për në Siri në shtator të vitit 2014, duke kërkuar ndihmë nga të afërmit e mbetur të Kobuzit në Shqipëri, të cilët ishin përcjellës të ideologjive salafiste (Balkan Insight, mars 2015). Histori të ngjashme janë duke u bërë të dukshme si në mediet vendore ashtu dhe në ato ndërkombëtare, që zbulojnë rrugët transitore të luftëtarëve të huaj të lidhur me Shtetin Islamik. Kjo është veçanërisht e theksuar në dritën e rrjedhjes së refugjatëve që kalojnë rajonin gjatë udhëtimit të tyre për në Evropën Perëndimore, dhe potencialin për individë të lidhur me organizata ekstremistë për të hyrë në Evropë nëpërmjet kësaj rruge. Një frikë e tillë është rritur nga akuzat për disa nga sulmuesit e Parisit të cilët kishin hyrë në Evropë nëpërmjet Ballkanit, duke u paraqitur si refugjat sirian (RT, 15 nëntor).

Konstatimi 

Që nga sulmet e Parisit, shërbimet rajonale të sigurisë kanë rritur masat e sigurisë për të parandaluar ndonjë sulm të mundshëm nga mbështetësit lokal të Shtetit Islamik. Për shembull, Shqipëria anëtare e NATO-s, ka mobilizuar mbi 1.500 pjesëtarë të forcave të armatosura të sigurisë për të siguruar një ambient të qetë në hapësirat publike, dhe ka miratuar një strategji të re kombëtare kundër terrorizmit (Ora News, 18 nëntor). Në vazhdën e ngjarjeve të Parisit, niveli i sigurisë në Shqipëri gjithashtu është rritur në të “kuqe”, pas disa alarmeve nga agjencitë shtetërore dhe një shkrim nga Ambasada e SHBA-ve në Tiranë, se inteligjenca të besueshme kanë sugjeruar se kryeqyteti është në mesin e objektivave të Shtetit Islamik (Lapsi, 20 nëntor). Forcat e sigurisë së Serbisë, në mënyrë të ngjashme kanë shfaqur brengën se ushtritë rajonale mund të përballen me kërcënime të mundshme terroriste dhe sulme vdekjeprurëse (Balkan Insight, 20 nëntor). Këta shembuj tregojnë se si qeveritë rajonale po demonstrojnë përkushtimin e tyre për të parandaluar sulmet, dhe po ndërtojnë bashkëpunime të mëtejshme midis agjencive.

Megjithatë, arrestimet dhe rritja e kapaciteteve të ushtrisë nuk i adresojnë shqetësimet reale që kanë bërë të mundur ekstremizmin e dhunshëm dhe radikalizmin fetar të zhvillohet në Ballkan. Këto probleme përfshijnë zyrtarët e korruptuar të cilët janë të përfshirë në krim të organizuar dhe tregtinë e drogës (Exit 13 nëntor, Balkan Insight 10 nëntor). Një problem tjetër është se autoritetet e moderuara islamike fetare janë larguar nga predikuesit më radikal në vitet e fundit, duke i lënë kështu mbështetësit e Shtetit Islamik në rajonin e Ballkanit, veçanërisht ata në Shqipëri dhe Kosovë në një fushë të hapur (Balkan Insight 14 nëntor). Ekzistojnë tashmë indikacione se ky mjedis toksik është duke filluar të prodhojë sulmues; Bosnja Hercegovina ka përjetuar sulmin e parë të dhunshëm nga një ujk i vetmuar islamik, i cili vrau dy ushtarë dhe plagosi disa tjerë, kur filloi të gjuaj me armë zjarri në periferi të Sarajevës më 18 nëntor (Balkan Insight, 18 nëntor). Megjithatë, pavarësisht përpjekjeve të qeverive të rajonit, kjo po bëhet gjithnjë më e qartë se autoritetet gjithashtu janë të vetëdijshëm për kapacitete e tyre relativisht të kufizuara për të kryer hetime që përfshijnë akte të terrorizmit, dhe se siguria e rajonit vazhdon të mbështetet në inteligjencën ndërkombëtare. Derisa niveli i kërcënimeve mbetet i lartë nga mbështetësit e fort të Shtetit Islamik në Ballkan, shumë pak besojnë se elita politike e rajonit ka vullnet për t’u përballur me ekstremizmin e dhunshëm dhe krimin e organizuar.

Ebi Spahiu është studiues i çështjeve të Azisë Qendrore dhe Ballkanit Perëndimor, i fokusuar në çështjet gjinore dhe ekstremizmin fetar.

/Modern Tokyo Times – Në shqip nga lajmi.net