Militantët e AKR-së rrahin sigurimin e “FABEND”-it në Drenas, i shkaktojnë lëndime të rënda

Një ditë para se qytetarët t’i drejtohen vendvotimeve për të zgjedhur të parin e tyre në Drenas, zyrtarët të shtabeve zgjedhore tashmë janë përfshirë në rrahjen e parë.

Lajme

03/12/2016 18:17

Militantët e AKR-së në Drenas, dje e kanë sulmuar qytetarin Habib Rrustem Gashi nga fshati Nekoc. Pas një tubimi të AKR-së në sallën e FABEND-it, ku Habib Gashi punon si sigurim, zyrtarë dhe militantë të AKR-së e kanë sulmuar atë dhe si pasojë viktima tani gjendet në spitalin e Drenasit, me lëndime të rënda.

Rrahjen e ka konfirmuar vet Habib Gashi për lajmi.net.

“Unë jam rojtar dhe prej orës 19 kam filluar punën mbrëmë, aty ka pas tubim AKR-ja. Simpatizantët e AKR-së e kanë gërvisht qëllimisht një veturë në rrugë dhe ma kanë hedh fajin mua që të më sulmojnë më pas. Më kanë rreh keq. Më kanë shtri për tokë e më kanë bo gjak. Për këtë janë dëshmitar edhe policia pasi kanë qenë ata që më kanë dërguar në shtëpi të shëndetit”, ka treguar Gashi.

Sipas tij, rrahja ka ndodhur për shkak se ai nuk i takon partisë së Behgjet Pacollit.

“Ata më kanë rreh qëllimisht, vetëm pse nuk jam i partisë së tyre, ata e kanë ditë këtë gjë dhe e kanë shfrytëzuar rastin”, ka thënë ai për lajmi.net.

Tutje, ai ka treguar se nga sulmi ka dhimbje të mëdha në kokë dhe ende është duke marrë terapi.

Kujtojmë se qytetarët e Drenasit nesër do të iu drejtohen vendvotimeve për të zgjedhur të parin e tyre. /Lajmi.net/