Milionat u avulluan, imazhi s’u ndreq

Para gjashtë vjetëve, gati një vit pas shpalljes së pavarësisë, institucionet e Kosovës u përpoqën që përmes një reklame televizive 60 sekondash të krijojnë një imazhi të ri për Kosovën.

Lajme

04/02/2015 09:09

Madje, përmes asaj reklame televizive, e cila u transmetua në 6 kanale të mëdha ndërkombëtare: CNN, BBC “World News”, “Euronews”, “CNN Turk”, “Bloomberg” dhe “Eurosport”, e cila kushtoi rreth 6 milionë euro, u mendua që të bëhet edhe joshja e investitorëve të jashtëm, shkruan “Zëri”

Republika thuajse nuk fitoi asnjë investitor, por fitimtarë të vetëm nga kjo dolën konsorciumi “BBR Saatchi & Saatchi” dhe kompania “PR Solution”, me pronar Ekrem Tahirin, të cilët fituan tenderin në vlerë 5,7 milionë euro.

Madje promovimi i reklamës ishte bërë asokohe nga presidenti, Fatmir Sejdiu dhe kryeministri Hashim Thaçi. Më vonë kjo reklamë ishte publikuar edhe në disa revista ndërkombëtarë.

Ekrem Tahiri , nga “PR Solution”, i cili ishte edhe partner vendor i “Saatchi dhe Saatchi”, në realizimin e kësaj kampanje që është quajtur “Kosova, The Young Europeans”, mendon se ka qenë tepër e suksesshme.

Kurse, Agron Demi nga instituti GAP thotë se fushata “ Young europeans” ka qenë më shumë fushatë për promovimin e mëvetësisë shtetërore të Kosovës sesa për sjelljen e investitorëve.