Milionat e Serbisë për veriun e Kosovës janë vjedhur

Keqpërdorime marramendëse të fondit tre miliardësh për më shumë se një dekadë nga vet serbët e Kosovës i ka zbuluar komisioni hetimor i themeluar nga Kuvendi i Serbisë.

Lajme

29/04/2014 09:45

Qindra miliona euro të fondit 3 miliardësh të buxhetit të Serbisë dedikuar serbëve të Kosovës janë keqpërdorë për më shumë se dhjetë vjet nga vet serbët. Detajet rreth abuzimit të fondeve serbe kanë dalë nga komisioni hetimor i themeluar nga Kuvendi i kaluar i Serbisë.

Ky komision ka hulumtuar shpenzimet e buxhetit të dedikuar për serbët e Kosovës, shkruan gazeta “Zëri”.

Ky raport intern, rreth 100 faqe i përfunduar para pak ditësh, është siguruar nga gazeta “Zëri”, i cili sjell detaje me emra dhe mbiemra të atyre që në raport paraqiten si keqpërdorues të këtyre fondeve.

Në të thuhet se 3 miliardë euro të Qeverisë Serbe, saktësisht 2.834.887.345.14 euro, nuk kanë shkuar në destinacionin e dedikuar, por sipas këtij raporti shumë të mëdha të hollash kanë shkuar për përfitime personale.

Raporti më tej numëron forma të keqpërdorimit të fondeve, nga mashtrimi për ndërtimin e shtëpive e objekteve kolektive për të kthyerit serb në Kosovë, por që në realitet ka dalë se ato nuk janë ndërtuar asnjëherë, shkruan “Zëri” në numrin e sotëm.