Miliona euro humbje nga tregtia e paligjshme me mallrat e Turqisë

Një dokument të deklarimit të mallit që Dogana e Kosovës e ka siguruar nga Turqia, dëshmon se importuesit e Kosovës kanë deklaruar deri në 80 mijë euro vlerë mallin që në vendin e origjinës është thënë të ketë vlerën e mbi 300 mijë eurove.

Lajme

30/04/2014 10:03

Një palë këpucë që në tregun e Kosovës shiten nga 20 deri në 25 euro dyshohet që janë doganuar jo me më shumë se dy euro.

Ndërsa këmishët të cilat në dyqane kanë çmim rreth 20 euro, shpeshherë janë doganuar edhe me rreth 20 centë për copë, shkruan Koha Ditore.

Importi i veshmbathjeve nga Turqia në Kosovë dyshohet se që nga paslufta është zhvilluar përmes “metodës se faturimit të dyfishtë të tekstilit”.

Janë dhjetë kompani të cilat dyshohet se që nga paslufta kanë futur mall duke mashtruar shtetin. Dyshimet se këto kompani kanë mashtruar doganat duke paraqitur mallin me çmime të rrejshme (minimale), e ka pranuar vetë ky institucion.