Miliarderi Muhamed Al Barwani shpreh interesim për të investuar në sektorin minerar të Kosovës

Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Lluka, ka pritur në takim themeluesin e BM Holding, Muhamed Al Barwani, i cili u interesua që të investojë në sektorin minerar të Kosovës.

Lajme

19/06/2019 13:48

Al Barwani është një ndër 50 personat më të pasur në botën arabe dhe ka në pronësi shumë biznese në sektorin minerar, në prodhimin dhe përpunimin e naftës e gazit, dhe në prodhimin e jahteve.

Lluka ka mirëpritur Al Barwani në takim dhe e ka informuar rreth mundësive të investimit në sektorin minerar të vendit tone, duke i treguar që Kosova është shumë e pasur në plumb, zink, krom, boksite dhe nikel.

Po ashtu, Al Barwani, ju prezantuan edhe 11 zonat me interes të veçantë minerar dhe miniera e Trepçës.

“Miniera e Trepçës ka 88 minerale të ndryshme dhe është miniera më e pasur në Evropë me plumb dhe zink. Së fundmi, kjo ndërmarrje ka kaluar si shoqëri aksionare dhe tani më është e hapur për investime të huaja. Me investime në teknologji do të mund të shfrytëzoheshin edhe më shumë pasuritë e kësaj miniere”, shtoi ndër të tjerash Lluka.

Muhamed Al Barwani, gjithashtu u interesua edhe për sektorin e teknologjisë informative, ku Lluka e ka njoftuar se Kosova është prej vendeve lidere në Evropë në përdorimin e internetit ku 95% e shtëpive posedojnë internet me shpejtësi të lartë dhe që, përmes projektit të Ekonomisë Digjitale të financuar nga Banka Botërore, pas 3 viteve, Kosova do të mbuloj tërë territorin e saj me fibër optik.

Muhamed Al Barwani tha se së shpejti do ta vizitoj Kosovën prapë që ti sheh për së afërmi potencialet që ofron sektori minerar i vendit.

Në fund, ministri Lluka i dhuroi Al Barwani librin e kristaleve dhe mineraleve të Kosovës, si shenjë kujtimi për vizitën në Kosovë. /Lajmi.net/