Milazim Krasniqi zbulon bisedat brenda takimit Zimmermann – Rugova

Sikur paralajmëroi më parë, Milazim Krasniqi ka publikuar detajet e takimit mes ambasadorit amerikan në Jugosllavinë e atëhershme, Zimmermann dhe Presidentit Rugova.

Lajme

12/08/2015 21:41

Kjo rrodhi pas një artikulli të botuar nga portali “tesheshi” sipas të cilit në librin e Zimmermann thuhet se Rugova ka thënë që shqiptarët kanë bërë krim ndaj serbëve. Kjo gjë u mohua fuqishëm nga Krasniqi.

Ja detajet e publikuara nga Milazim Krasniqi:

“Atë ditë prilli 1989, rreth orës 11, Zimermani më hyri në zyrë, ku isha vetëm, meqë Ibrahimi nuk kishte dalë ende. Ishte një burrë i madh e i plotë, me një fytyrë të madhe, babaxhan. Sapo hyri, më përshëndeti serbisht e u prezentua, duke thënë se ishte ambasadori i Shteteve të Bashkuara në Beograd, Voren Zimemrman. Pas tij ishte një djalë i ri, i cili u prezentua, po të cilit ia kam mbajtur mend vetëm mbiemrin, Uajt. U prezantova edhe unë, u ofrova që të uleshin, thirra kafexhiun që kishim dhe porositëm kafe. Menjëherë fillova ta kërkoja Ibrahimin me telefon në Institut dhe pas pak e gjeta. I tregova se kishim mysafirë dhe se duhej të vinte sa më me ngut. Pastaj biseduam për gjendjen në Kosovë, represionin që po përshkallëzohej dhe gjendjen e jashtëzakonshme e orën policore që ishte vendosur.

Kur erdhi Ibrahimi u përshëndet e u njoftua me ta edhe ai. Biseda vazhdoi po me atë frymë, pra të gjendjes së rëndë që zotëronte në Kosovë. Zimermani propozoi që të dilnim dikund në ndonjë restorant e të hanim diçka dhe ta vazhdonim bisedën.

Ibrahimi propozoi që të shkonim në restorant Dubrovnik, i cili ishte bukur larg nga selia e shoqatës sonë. U nisëm më këmbë, mes për mes qytetit. Rruga ishte përplot policë me helemeta e të armatosur deri në dhëmbë. Kishte edhe nja dy autoblinda në rrugë. Me një fjalë, ishte një tabllo tipike e gjendjes së pushtimit.

Në restorant Dubrovnik nuk kishte asnjë mysafirë, përveç nesh. Pronari i restorantit rrinte disa tavolina më tej për hesap të vetin, ndërsa ne ishim të qetë në bisedë. Zimermani porositit qofte, ndërsa ne tre të tjerët porositëm mish qengji, meqë ky restorant ka qenë i famshëm pikërisht për mishin e qengjit. Kamerieri solli mishin e qengjit, ne filluam të hanim, por Zimermanit po i vononin qoftet. Filloi të hante edhe ai me ne mish qengji. Kur e ftova kamerierin që ta pyesja për vonesën e qofteve, ai më tha se kishte harruar ta bënte porosinë! Zimermani tha se nuk kishte më nevojë për ato qofte, meqë po i pëlqente edhe atij mishi i qengjit.

Biseda vazhdoi për gjendjen aktuale të represiont që mbretëronte në vend. Po disi shpejt biseda kaloi në tema historike. Ibrahimi ngulmonte t’ua shpjegonte se ne shqiptarët ishim këtu shumë më herët para serbëve. Bile edhe emri i Rashkës, qendrës së parë të shtetit mesjetar serb, sipas tij e kishte kuptimin nga fjala rrasë, që do të thotë se ishte një toponim shqip. Ia shpjegoi edhe emrin Dardani nga fjala dardhë dhe i tregoi se në Kosovë kultivoheshin shumë dardhat që nga koha antike. Pastaj filloi t’i fliste për romanin e Xhejms Xhojsit, „Vigjilimet e Feneganit“, në të cilin Xhojsi kishte përfshirë edhe një numër fjalësh shqipe. Mandej filloi t’i shpjegojë se si edhe në poemën „Iliada“ të Homerit, kishte disa fjalë që nuk mund të shpjegoheshin me fjalorin e greqishtes, po ishin të shpjegueshme e të kuptueshme me fjalorin e shqipes. Kush e di se sa do të zgjatej ligjërata e tij filologjike, (në atë kohë ai mirrej intensivisht me atë temë) por Zimermani me mirësjellje e ktheu bisedën sërish tek aktualiteti i Kosovës. Ndër të tjera filloi të pyeste Ibrahimin se a ka pasur represion të shqiptarëve ndaj serbëve në vitet shtatëdhjetë. Ibrahimi tha se kishte pasur elemente të dhunës, më shumë për çështje pronësore, por jo të përmasave të mëdha. Ndërhyra unë duke thënë se edhe në vitet shtatëdhjetë Serbia i ka pasur në dorë frenat e shërbimeve sekrete dhe të armatës, prandaj nuk ka mundur të bëhej fjalë për represion institucional ndaj serbëve. Pastaj Zimermani filloi të bënte konkludimin e tërë bisedës, ku ndër të tjera tha se Millosheviqin në këtë fazë nuk mund ta frenonin, prandaj pritej që nacionalizmi që ai mishëronte, do të përshkallëzohej edhe më shumë në periudhën pasuese. Prandaj, porositi ai, ju duhet të formoni një lëvizje e cila dhunës së tij nuk i përgjigjet me dhunë. Nëse ju shqiptarët vazhdoni t’i përgjigjeni dhunës me dhunë, përkrahjen tonë nuk do ta keni. Nëse krijoni një lëvizje joviolente, ju do të vuani represionin, por ne do t’u përkrahim dhe ndihmojmë dhe ju do të triumfoni në fund. Ishin fjali të shkurtëra e të qarta, si të gravuara. Ibrahimi dhe unë po e miratonim atë që ai po thoshte.

Pasi u krye biseda dhe dreka, dolëm nga restoranti. Ibrahimi u ndalë aty afër, meqë banonte në lagjen Lakrishte dhe prej aty e kishte banesën më afër, ndërsa mua më porositi që t’i përcillja deri te hotel Grandi. Ashtu edhe bëra. Deri te Grandi shkuam bashkë, duke biseduar për qytetin dhe gjendjen. Para Grandit, u përshëndetëm miqësisht.

Ky takim ka qenë fillimi i një bashkëpunimi intensiv të Rugovës me administratën amerikane dhe i adoptimit të një politike paqësore nga ana e Rugovës. Pra, politika paqësore ka qenë mesazh i amerikanëve, plan i tyre, kushtëzim i përkrahjes së tyre, e jo ndonjë produkt i fantazisë së Rugovës. Ka qenë politikë pragmatike e jo idealiste. Përkrahja amerikane ndaj nesh varej nga kursi paqësor, që do të ndiqej në politiken e shqiptarëve të Kosovës. Meqë Rugova do ta ketë dhënë provën e njeriut që mund ta bartte mbi supet e veta atë projekt, atij ai dhanë rolin e liderit. Pa mbështetjen e fuqishme dhe të rregullt të amerikanëve, Ibrahimi me brishtësinë e tij, nuk do të mund të përballonte presionin e hijenave të parapolitikës e të politikës së shqiptarëve në Kosovë as një vit, në një Kosovë të mbetur pa institucione dhe së cilës iu imponua vetërregullimi si një formë primitive e organizimit politik e shoqëror. Pra, Rugovën e bënë lider amerikanët, brenda një projekti politik paqësor që i ishte rezervuar Kosovës për një periudhë kalimtare.”