Mikroplastika edhe në Ibër: Si të ulet rreziku?

Gotat, shishet dhe lugët plastike përdoren për pak minuta, por mbeten në tokë e ujë për qindra vjet. Ekspertët paralajmërojnë se mikroplastikat tashmë kanë depërtuar në zinxhirin ushqimor dhe në trupin e njeriut, duke e bërë urgjente gjetjen e alternativave. Në kafenetë, baret e restorantet e Kosovës, uji, limonada apo edhe akullorja shpesh shërbehen në…

Lajme

25/08/2025 13:55

Gotat, shishet dhe lugët plastike përdoren për pak minuta, por mbeten në tokë e ujë për qindra vjet. Ekspertët paralajmërojnë se mikroplastikat tashmë kanë depërtuar në zinxhirin ushqimor dhe në trupin e njeriut, duke e bërë urgjente gjetjen e alternativave.

Në kafenetë, baret e restorantet e Kosovës, uji, limonada apo edhe akullorja shpesh shërbehen në shishe, gota e enë plastike, që përdoren vetëm për disa minuta dhe më pas përfundojnë në mbeturina.

Ky zakon i përditshëm, paralajmërojnë ekspertët, e ndot mjedisin për shekuj dhe rrezikon edhe shëndetin e njeriut.

Për ta ndryshuar atë, Qendra Rajonale e Aktiviteteve e OKB-së MedWaves dhe Agjencia gjermane për Bashkëpunim Ndërkombëtar – GIZ ndërmorën këtë verë një nismë rajonale në Shqipëri, Bosnje e Hercegovinë, Kosovë e Mal të Zi, të quajtur “Zona me pak plastikë”.

Në një përgjigje për Radion Evropa e Lirë, GIZ-i shpjegon se iniciativa është në përputhje me Direktivën e Komisionit Evropian (2019/904) për reduktimin e ndikimit të disa produkteve plastike në mjedis, e miratuar në qershor të vitit 2019.

Një copëz e kaltër mikroplastike në gishtin e një hulumtuesi nga Universiteti i Uashingtonit, i gjetur në mbeturinat e mbledhura nga Thea Foss Waterway, në Takoma, Uashington. (Fotografi nga arkivi)
Qëllimi, sipas deklaratës, është “të parandalojë dhe reduktojë ndikimin e disa produkteve plastike në mjedis, veçanërisht në mjedisin ujor dhe në shëndetin e njeriut, si dhe të nxisë kalimin drejt një ekonomie qarkore me modele biznesi, produkte dhe materiale inovative e të qëndrueshme”.

Në Kosovë, projekti zbatohet nga Oda Ekonomike e Kosovës, e cila synon t’i bindë bizneset e gastronomisë që të heqin dorë nga plastika njëpërdorimëshe.

Njëri nga të parët që iu përgjigj thirrjes është Astir Gllareva, pronar i restorantit “Albanezi”.

“Me dëshirë i jam bashkuar iniciativës. Brenda në lokal nuk shërbejmë më me produkte të plastikës, madje edhe lugët e kafesë i kemi hequr. E vetmja plastikë që përdoret, janë tasat e kafesë që klientët i marrin me vete në mëngjes. Nëse gjendet alternativë, do t’i heqim edhe ato”, thotë Gllareva për Radion Evropa e Lirë, duke shtuar se është i gatshëm të largojë çdo produkt që ndot mjedisin.

REL-i kontaktoi edhe disa pronarë të tjerë lokalesh ku ende përdoren produkte plastike njëpërdorimëshe, por asnjëri prej tyre nuk pranoi të fliste publikisht – megjithatë, shumica thanë se janë të gatshëm të reduktojnë përdorimin e tyre.

Sfida e menaxhimit të mbeturinave plastike është e madhe, thotë kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Lulzim Rafuna, i cili nismën e konsideron si të domosdoshme.

Ai thotë se interesimi i bizneseve është i lartë, me mbi 250 kompani që tashmë e kanë mbështetur projektin.

Në sektorin e gastronomisë dhe akomodimit në Kosovë veprojnë rreth 8.000 biznese.

Plastika që nuk zhduket me qindra vite
Produktet plastike, paralajmërojnë ambientalistët, janë ndër ndotësit më të mëdhenj, pasi shndërrohen në mikroplastikë dhe mbeten për shekuj në mjedis, duke kërcënuar botën e gjallë dhe shëndetin e njeriut.

Çka janë mikroplastikat?
Mikroplastikat janë copa mbeturinash plastike nën pesë milimetra gjatësi, shpjegon Shërbimi Kombëtar i Oqeanit i SHBA-së (UNEP).

Disa, si mikroperlat, që zakonisht gjenden në kozmetikë dhe produkte higjienike, janë krijuar të jenë të vogla, ndërsa plastika tjetër shpërbëhet gradualisht deri në këtë madhësi.

Edhe pse mikroperlat janë të ndaluara tani në shumë vende, problemi i ndotjes plastike është ende larg zgjidhjes.

Sipas UNEP-it, çdo vit deri në 23 milionë tonë mbeturina plastike përfundojnë në sistemet ujore të botës.

Ato, shpesh, janë aq të vogla saqë kalojnë nëpër sistemet e filtrimit të ujit dhe mund të gëlltiten pa e ditur.

Aktivistja mjedisore, Egzona Shala-Kadiu, thekson se gastronomia është një nga sektorët që prodhon më së shumti mbetje plastike, ndaj reduktimi i tyre është i domosdoshëm.

“Plastika është material shumë rezistent dhe përbërja e saj kimike bën që të mbetet në mjedis për qindra vite”, thotë ajo për Radion Evropa e Lirë.

Në ueb-faqen e MedWaves thuhet se plastika ka jetëgjatësi alarmante: një qese shpërbëhet pas rreth 20 vjetësh, një shkop për pije pas 200 vjetësh, një shishe plastike pas 450 vjetësh, ndërsa enët plastike mund të qëndrojnë deri në 1000 vjet.

Në nivel global përdoren çdo vit rreth 500 miliardë gota plastike dhe çdo ditë afro 500 mijë shkopinj për pije.

Duke qëndruar për kaq kohë në mjedis, Shala-Kadiu thotë se mikroplastikat përfundojnë në ujëra dhe ushqime, duke u konsumuar nga qytetarët pa e ditur.

Mikroplastika në peshq
Prania e mikroplastikave te speciet e peshqve në disa lumenj të Kosovës është konfirmuar edhe nga një studim i Universitetit të Prishtinës, i realizuar përmes projektit “Menaxhimi i Integruar i Burimeve Ujore në Kosovë”.

Bartësi i punimit, profesori i Zoologjisë, Halil Ibrahimi, thotë për Radion Evropa e Lirë se hulumtimi, me titull “Përmirësimi i menaxhimit të pellgut të Ibrit bazuar në indikatorët biologjikë dhe mikroplastikat”, pritet të publikohet në tetor.
“Një ndër gjetjet më shqetësuese është se mikroplastikat janë të pranishme në të gjitha speciet e peshqve të analizuara në lumin Ibër”, thotë ai.

Sipas tij, mikroplastika ka edhe në ujë, si dhe në shtresat e dheut, rërës ose baltës që depozitohen në shtratin e ujit.

“Ato ndikojnë në proceset ekologjike dhe në gjithë zinxhirin ushqimor – nga organizmat më të vegjël deri te grabitqarët, duke shkaktuar pasoja që prekin edhe njeriun”, thotë Ibrahimi.

Ai shton se konsumimi i peshqve të kontaminuar dhe ekspozimi i vazhdueshëm ndaj ujit të ndotur rrisin rrezikun e depërtimit të mikroplastikave në trupin e njeriut.

Studime ndërkombëtare tregojnë, po ashtu, se mikroplastikat gjenden në ujë dhe në ajër, si dhe në ushqime të ndryshme – përfshirë kripën, sheqerin, mjaltin, orizin dhe ushqimin e detit – ndërsa janë vërejtur në zemër, mëlçi, mushkëri dhe testikuj.

Edhe pse ndikimet e plota mjedisore dhe shëndetësore të mikroplastikave nuk janë ende të njohura plotësisht, një studim i vitit 2024 tregon mundësinë që ato të rrisin rrezikun e atakut në zemër, goditjes në tru ose vdekjes.

Një tjetër studim e lidh mikroplastikën me inflamacionin dhe sëmundjet jo të transmetueshme.

Si mund të reduktohet përdorimi i plastikës?
Hulumtuesit sugjerojnë zëvendësimin e produkteve plastike njëpërdorimëshe me materiale më të sigurta dhe të qëndrueshme.

GIZ-i, në udhëzuesin e tij për bizneset, ka propozuar alternativa praktike për bizneset: gota, shishe dhe qese të ripërdorshme, si dhe nga materiale të tjera si druri.

“Ndryshimi është i mundur, por kërkon transformim në mentalitet, zakone dhe procedura operative, si dhe bashkëpunim të fortë e komunikim të qartë me furnizuesit dhe klientët”, thuhet në udhëzimin e GIZ-it.

Sipas Rafunës, sektori i gastronomisë e përdor plastikën kryesisht për arsye praktike dhe ekonomike.

“Tranzicioni ka kosto shtesë dhe, për këtë, qeveria duhet të përgatisë një pako mbështetëse për bizneset”, sipas tij.

Ministra e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës e Kosovës kishte paralajmëruar se nga fillimi i vitit 2024 do të niste kthimin e shisheve plastike përmes Administratorit të Sistemit të Rimbursimit të Depozitave, i cili do të menaxhonte mbeturinat plastike, qelqin dhe aluminin.

Megjithatë, ky projekt nuk është zbatuar ende, dhe ministria nuk ka dhënë përgjigje për Radion Evropa e Lirë mbi arsyet e vonesës.

Shala-Kadiu thekson rëndësinë e një rrjeti efikas të mbledhjes dhe riciklimit të mbeturinave, me kontejnerë të veçantë dhe financim të bizneseve të riciklimit, për të reduktuar mbeturinat që përfundojnë në deponi.

“…sepse, mbeturinat nga plastika përfundojnë në deponi së bashku me mbeturinat tjera”, thotë ajo.

Sipas Agjencisë së Statistikave të Kosovës, mbi 20% e mbeturinave të trajtuara në vitin 2023 ishin plastike.

Masat e ndërmarra më parë, si tarifa prej 5 centësh për qeset plastike, kanë dhënë rezultat.

Të dhënat e Doganës së Kosovës tregojnë se në vitin 2022, para vendosjes së tarifës, u importuan mbi 910 mijë kilogramë qese plastike me vlerë 1.9 milion euro. Në vitin 2024, importi ra në 250 mijë kilogramë, me vlerë mbi 700 mijë euro.

Megjithatë, të dhënat për prodhimin vendor të qeseve plastike mungojnë.
Në mars të vitit 2022, në Asamblenë e Kombeve të Bashkuara për Mjedisin, 175 vende ranë dakord për të ndalur ndotjen nga plastika.

Marrëveshja ligjërisht e detyrueshme trajton çështje si plastikat njëpërdorimëshe dhe teknologjitë e riciklimit, ndër të tjera.

Në vitin 2023, Bashkimi Evropian ndaloi shitjen e shkëlqimit plastik, ndërsa në janar të këtij viti, Partneriteti Global për Veprim ndaj Plastikës njoftoi se shtatë vende të reja iu bashkuan programit më të madh botëror kundër ndotjes plastike.