Mijëra kosovarë heqin dorë nga shtetësia
Pengesa të shumta për të lëvizur të lirë në shtete të ndryshme nëpër botë po i detyron shumë bashkatdhetarë që jetojnë në diaspporë që të heqin dorë nga shtetësia e Kosovës, veçanërisht ata që jetojnë në ato shtete ku nuk lejohet të posedohen dyshtetësia.

Lajme
Gjatë tërë vitit, e sidomos gjatë sezonit verorë kur mërgimtarët janë në pushime, shihen me një grumbull dokumentesh pranë sporteleve të komunave dhe Ministrisë së Punëve të Brendshme duke kërkuar tërheqjen e shtetësisë së Kosovës.
Sipas të dhënave të Ministrisë së Punëve të Brendshme, thuhet se nga viti 2009 e këndej, rreth 30 mijë qytetarë të Republikës së Kosovës, që jetojnë jashtë vendit, në bazë të kërkesës së tyre janë liruar nga shtetësia. Ndërkaq, Zyra për Media e MPB-së nuk ka të dhëna se sa qytetarë kanë hequr dorë nga shtetësia që nga përfundimi i luftës e deri në vitin 2009.
Roksana Qarri, zëdhënëse e Ministrisë së Punëve të Brendshme, ka thënë për portalin “Toskanapress” se lirimi nga shtetësia e një qytetari bëhet për arsye të marrjes së një shtetësie të ndonjë vendi tjetër që nuk e lejon dyshtetësinë.
Ndërkohë, qytetarët thonë se marrjen e shtetësisë së atij vendi ku jetojnë e bëjnë për shkak të mos pengesës së lëvizjes së lirë nëpër vende të ndryshme të botës.