Mijëra euro dënime për shkeljen e Kodit të Mirësjelljes gjatë fushatës

Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) i ka shqiptuar gjobat e para për shkelje të Kodit të mirësjelljes pesë ditë pas hapjes së fushatës zgjedhore për zgjedhjet e 9 shkurtit, duke i gjobitur me mijëra euro Lidhjen Demokratike të Kosovës (LDK), Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) dhe Lëvizjen Vetëvendosje (LVV). LDK-ja u gjobit…

Lajme

16/01/2025 13:12

Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) i ka shqiptuar gjobat e para për shkelje të Kodit të mirësjelljes pesë ditë pas hapjes së fushatës zgjedhore për zgjedhjet e 9 shkurtit, duke i gjobitur me mijëra euro Lidhjen Demokratike të Kosovës (LDK), Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) dhe Lëvizjen Vetëvendosje (LVV).

LDK-ja u gjobit më 15 janar me 20.000 euro për gjuhë të urrejtjes, pasi kandidatja e saj për deputete, Xheneta Syka, e publikoi në llogarinë e vet në Facebook një video ku kryeministri i Kosovës, Albin Kurti nga LVV-ja, krahasohej me Adolf Hitlerin.

PZAP-i tha se paneli hulumtues i saj ka gjetur se me qëllim të etiketimit të LVV-së dhe të promovimit të LDK-së, Syka ka nxitur “urrejtje” ndaj partisë së kryeministrit Kurti.

Ajo tha se me këtë, LDK-ja e ka shkelur nenin 34 të Ligjit për zgjedhjet, i cili ua ndalon partive politike, kandidatëve dhe mbështetësve të tyre përdorimin e gjuhës së urrejtje – e cila mund ta nxisë apo provokojë një person tjetër të kryejë akte dhune kundër te tjerëve – si dhe përdorimin e fotografive, simboleve dhe materialeve të tjera që kanë ose mund të kenë ndikim të tillë.

Ky vendim vjen pas ankesës së që LVV-ja e kishte bërë në PZAP, i cili e urdhëroi LDK-në ta paguajë gjobën brenda një afati prej 15 ditëve.

PZAP-i e gjobiti edhe Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) me 12.000 euro më 15 janar, pas një ankesë të Lëvizjes Vetëvendosje se kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, kishte bërë akuza të pabaza dhe të pavërtetuara kundrejt kryeministrit Kurti, ashtu si edhe kandidati për deputet i AAK-së, Ardian Gjini.

Ai tha se Haradinaj dhe Gjini kanë nxitur “urrejtje” ndaj kryeministrit Kurti duke përdorur gjuhë denigruese dhe urrejtëse, pasi kishin thënë se “duhet ta heqim mashtruesin” dhe se “nuk duam më lojëra me sigurinë kombëtare pas shpinës së aleatëve tanë e në interes të Serbisë e Rusisë nga argati i tyre”.

Ndërkohë, PZAP-ja e gjobiti Lëvizjen Vetëvendosje me 3.000 euro ditën e njëjtë, për shkelje të Ligjit për zgjedhjet, pas një ankese nga LDK-ja.

Në një njoftim për media, PZAP-i tha se kandidati për kryeministër i LVV-së për zgjedhjet e 9 shkurtit, Albin Kurti, ka përdorur gjuhë fyese dhe denigruese “duke nxitur urrejtje” ndaj Lidhjes Demokratike të Kosovës gjatë një tubimi zgjedhor në Pejë më 13 janar.

Partitë e gjobitur kanë të drejtë të ankohen në Gjykatën Supreme ndaj vendimeve të PZAP-it.

Flutura Kusari, këshilltare ligjore në Qendrën Evropiane për Liri të Shtypit dhe Medias, tha të enjten se vendimet e PZAP-it do të krijojnë një lloj precedenti dhe standardi për të ardhmen në fushën e shprehjeve politike.

“Asnjë politikan në Kosovë nuk duhet të krahasohet në asnjë formë me Hitlerin. Ky krahasim dhe kjo shprehje nuk është liri e shprehjes, është abuzim me lirinë e shprehjes”, tha ajo në Facebook.

Në zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit në Kosovë do të garojnë 28 subjekte politike me 1.280 kandidatë.

Mbi 2 milionë njerëz brenda dhe jashtë Kosovës kanë të drejtë vote në këto zgjedhje.

Në fletëvotim, votuesit do të mund të zgjedhin një subjekt politik dhe deri në dhjetë kandidatë për deputetë. Ky është një ndryshim pas miratimit të Ligjit të ri për zgjedhjet. Në të kaluarën, qytetarët kanë pasur mundësinë të zgjedhin deri në pesë kandidatë.

Secila parti e certifikuar mund të ketë deri në 110 kandidatë në listën zgjedhore.

Nga këto lista do të zgjidhet përbërja e re e Kuvendit me 120 ulëse dhe deputetët më pas zgjedhin Qeverinë e re. Qeveria aktuale në Kosovë udhëhiqet nga Albin Kurti, kreu i Lëvizjes Vetëvendosje.

Fushata zgjedhore filloi më 11 janar dhe për një muaj, partitë dhe kandidatët do të tentojnë t’i bindin votuesit që t’i zgjedhin ata.

Këto do të jenë zgjedhjet e para të rregullta që Kosova mban që nga shpallja e pavarësisë më 2008. REL