Migrantët dhe Evropa

Shkruan: Mentor Tahiri

Opinion

25/12/2019 19:31

Nuk ka një definicion shumë të qartë se çfarë do të thotë migrant. E drejta ndërkombëtare është e turbullt në këtë drejtim. Janë fjalorët gjuhësor dhe praktikat ato që rrumbullakojnë termin. Pavarësisht kësaj, migrimi dhe njerëzit që migrojnë janë pasqyrë e situatave historike e të tanishme në shumë rrafshe. Në Evropën e viteve të fundit, ajo që quajmë “kriza të migrantëve”, e ka bërë migrantin më të njohur. Kontinenti i vjetër, nuk është sot pjesa më e zhvilluar e planetit, por në raport me Amerikën Veriore apo shtete të bumit industrial si Japonia, Evropa është më e arritshme për njerëz që vijnë nga dy kontinentet ngjitur me të, e të cilët kërkojnë më shumë shpresë.

Në “krizën e migrantëve” deri tani janë identifikuar kryesisht dy “dyer” të mëdha me anë të cilave migrantët tentojnë të hyjnë në kontinent. E para është e ashtuquajtura rrugë e Mesdheut perëndimor dhe qendror, ku njerëz nga shtetet e Magrebit, Sahellit dhe përtej tij, kërkojnë shpresë përmes rrugës së vështirë nëpër Sahara, ku pastaj përmes brigjeve veriperëndimore të Afrikës, përpiqen të arrijnë brigjet e Spanjës apo të Italisë. Përvojat e hidhura të “fatit” njerëzor flasin se ky rrugëtim ndërmjet jetës dhe vdekjes zgjatë deri në 3 vite.

Dera e dytë është ajo lindore, kryesisht vija Turqi – Evropë Juglindore si rrugë tokësore, kurse gjithnjë më pak ajo e Mesdheut lindor si rrugë detare. Konfliktet shkatërruese në një varg shtetesh, luftërat civile sfilitëse, jeta e pabarabartë në regjime diktatoriale dhe një serë faktorësh tjerë politik, ekonomik dhe social kanë rrënuar shpresën e njerëzve që nga Afganistani e deri në Mesdhe.

Sipas një statistike e cila ndryshon varësisht nga burimet, por ku burimet në vija të trasha përputhen, gati 20% e njerëzve të cilët gjatë vitit 2019 në Evropë po trokasin përmes “derës” ballkanike janë nga Afganistani, kurse sirianët janë në vendin e dytë me 15%. Ky raport ka ndryshuar ndër vite, sirianët përbënin më shumë së gjysmën e migrantëve në vitet 2015 dhe 2016, vite këto kur faktikisht shuhet shpresat se regjimi i Assad mund të rrëzohet, e ku kyç ishte involvimi ushtarak rus në luftën civile.

Është e dhimbshme që fatkeqësia e njerëzve të konvertohet në statistikë, por pa të përmasat e tragjedisë që ka kapluar dikë nuk mund të kuptohen. Në raport me njerëzit e ikur, Turqia po bartë koston më të madhe të konflikteve në Lindjen e Mesme, kryesisht atij në Siri. Gati 4 Milion refugjatë e që përbën numrin më të madh të refugjatëve në botë, kanë gjetur strehim atje. Mbase opinioni publik evropian as nuk ka arritur kurrë të kuptojë përmasat e vërteta të tragjedisë njerëzore në Lindjen e Mesme, pikërisht për faktin se “kontingjenti” shumëmilionësh i njerëzve të strehuar në Turqi, ka mësyrë Evropën vetëm në numra shpërfillës në raport me numrin e përgjithshëm. Deri tani viti më kritik i “korridorit” Turqi – Evropë Juglindore ishte 2015-ta kur kaluan gati 800 mijë migrant.

Kur flitet për valët e migrantëve që janë përplasur në Evropë viteve të fundit, janë disa shqetësime që ngriten. Disa shqetësime vijnë nga elementet e racizmit në diskursin publik, të cilët janë gjithsesi të frikshëm se nuk përkojnë me vlerat e promovuara të demokracive të pjekura evropiane. Fillimisht kishte përpjekje që vala e migrantëve të bllokohet në Ballkan. Disa qeveri sikurse ato të vendeve post-komuniste, fare të pavetëdijshme se nuk janë atraktive për njerëzit që kërkojnë një jetë më të mirë, valën e migrantëve e shihnin si një agresion nga i cili duhet mbrojtur.

Popullistët e shfrytëzuan “rrezikun” nga “sirianët” si impuls për mobilizimin e elektoratit. Në disa vende, ilegalisht në raport me ligjin por me elemente të dukshme të një aprovimi të heshtur publik, u organizuan edhe grupe civilësh të cilët mbrojnë kufirin nga migrantët. Megjithatë, trendët kanë treguar vazhdimisht se migrantët kanë synuar gjithmonë shpëtimin në vendet e zhvilluara dhe të industrializuara të Evropës, aty ku ka edhe vende pune.

Ajo që tani kryesisht po përpiqen të bëjnë qeveritë, është ngritja e kapaciteteve për të përballuar dhe sistemuar atë që shumë lehtë mund të jetë një tronditje demografike e kontinentit të vjetër. Në praktikë kjo sërish i bie se po merren me pasojat pa asnjë vullnet për tu involvuar në riparimin e “shkakut”. “Pranvera Arabe” e lënë e vetmuar nën mëshirën e klaneve diktatoriale dhe njëkohësisht me këtë ringjallja ushtarake ruse, tregon se ka arsye për tu frikësuar nga një serë liderësh evropian që nuk shikojnë më shumë se interesin e atypëratyshëm të shteteve që përfaqësojnë.

Dikur kishte një program të qartë që quhej “Politika Evropiane e Fqinjësisë”, një instrument i cili mëtonte më shumë siguri kombëtare për Evropën, duke inkurajuar demokratizimin dhe stabilitetin në vendet përreth saj. Sot së paku dy shtete që ishin pjesë e këtij programi janë të rrënuara dhe janë ndër burimet kryesore të “krizës së migrantëve”. Mosmarrëveshjet e brendshme, fragmentimet konceptuale lidhur me të tanishmen dhe të ardhmen, që moti e kanë bërë politikën e përbashkët të jashtme evropiane në nivelet e një iluzioni. Në ndërkohë kur vetëm një ofensivë ushtarake ruse e fundvitit të 2019-tës në zonat e Idlibit në Siri, lëvizë valën prej së paku 80 mijë njerëzve që po ikin nga atdheu i tyre, kuptohet akoma më qartë se ka humbur krejtësisht ndjeshmëria, vullneti por edhe forca reale që Evropa të jetë një akter serioz në Politikën Ndërkombëtare.