Miftaraj: Pezullimi i dialogut strategjik me SHBA-në është dështim i rëndë për Kosovën

Hulumtuesi dhe drejtori ekzekutiv i Institutit të Kosovës për Drejtësi (IKD), Ehat Miftaraj, ka reaguar ashpër pas pezullimit të dialogut strategjik ndërmjet Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Kosovës, duke e quajtur këtë një “lajm të zi” për vendin. Në një postim publik, Miftaraj ka akuzuar kryeministrin Albin Kurti dhe presidenten Vjosa Osmani se me…

Lajme

12/09/2025 14:35

Hulumtuesi dhe drejtori ekzekutiv i Institutit të Kosovës për Drejtësi (IKD), Ehat Miftaraj, ka reaguar ashpër pas pezullimit të dialogut strategjik ndërmjet Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Kosovës, duke e quajtur këtë një “lajm të zi” për vendin.

Në një postim publik, Miftaraj ka akuzuar kryeministrin Albin Kurti dhe presidenten Vjosa Osmani se me veprimet dhe retorikën e tyre politike, kanë kontribuar në përkeqësimin e marrëdhënieve me aleatin më të madh të Kosovës, transmeton lajmi.net.

“Albin Kurti dhe Vjosa Osmani ndoshta sot ndihen krenarë me këtë ‘arritje strategjike’, por ajo është në dëm të interesave të Republikës së Kosovës,” shkroi ai.

Miftaraj thekson se nën emrin e patriotizmit patetik dhe përmes sulmeve të përsëritura ndaj Gjykatës Kushtetuese, mediave dhe zërave kritikë, udhëheqësit institucionalë kanë dërguar vendin në izolim diplomatik dhe në masa ndëshkuese nga SHBA-ja.

“A kanë kufi këta politikanë që po e çojnë Kosovën drejt humnerës? Për çka? Për pushtet! Për kontroll. Për interesa personale dhe financiare të grupit të tyre të interesit,” përfundon Miftaraj me tone të ashpra.

Pezullimi i dialogut strategjik me SHBA-në, që përfshinte bashkëpunim në fusha kyçe si siguria, drejtësia, sundimi i ligjit dhe zhvillimi ekonomik, po shihet nga shoqëria civile si një dështim serioz diplomatik dhe sinyal alarmi për kursin që po ndjek aktualisht politika në Kosovë./lajmi.net/