Mielli i Kosovës, si krundet, nuk i përmbush standardet e Shqipërisë dhe BE-së

Ministria e Bujqësisë së Shqipërisë kërkon standarde të njëjta me Bashkimin Evropian sa i përket cilësisë së miellit të importuar, por edhe produkteve të tjera ushqimore.

Lajme

05/10/2014 16:55

Kosovarët nuk mund ta dërgojnë atje miellin me më pak se 12.5 % proteina, në të kundërtën ai vlerësohet si krunde.

Kosova kishte afat që të ngritë këto standarde meqë synon bashkë më Shqipërinë të kenë një treg të përbashkët, atë evropian, por ai afat ka përfunduar dhe tashmë mielli me më pak proteina nuk vlerësohet si miell.

Për këtë arsye, ministri i Bujqësisë së Shqipërisë, Edmond Panariti ka nënshkruar udhëzimin e ri, që duhet ta respektojnë të gjithë eksportuesit e miellit nga Kosova apo vende tjera të rajonit.

Në një intervistë për KosovaPress, Panariti shpjegon përmbajtjen e këtij udhëzimi dhe arsyet pse janë rishikuar normat e cilësisë dhe të sigurisë ushqimore, ndërsa garanton konsumatorin shqiptar se cilësia e produkteve që ata konsumojnë është maksimale.

“Udhëzimi që unë kam nxjerr ka të bëjë pikërisht me një standard të ri të përqindjes së proteinave në miell dhe në grurë i cili tenton t’i përafrohet standardeve evropiane, por nuk është ende brenda këtyre standardeve. Standardet evropiane janë diku te 14 % dhe ne kemi kërkuar që ky standard të ngrihet nga 7 %, sa është niveli i proteinave në miell, në nivelin 12.5 %”, thotë ai.

Ndonëse Shqipërinë e Kosovën i konsideron treg i përbashkët, Panariti thotë se thjesht këtë e kanë kërkuar shkaku i sigurisë dhe cilësisë së miellit, pavarësisht nga vendi i origjinës, duke pas parasysh që Shqipërisë tashmë ka marrë statusin e vendit kandidat dhe përgatitet të hapë negociatat për anëtarësim.

I pyetur për kërkesën që të shtohet përqindja e proteinave, ai thotë se mielli me 7% proteina nuk është miell, por krunde.

“Një miell që hyn me përqindje proteinash prej 7 % nuk është miell, është krunde dhe unë nuk dëshiroj që konsumatori shqiptar dhe ai kosovar të jetë i diskriminuar dhe të përdor miell të një cilësie të tillë me një përqindje të tillë proteine. Përpos kësaj, kjo sjell edhe rrezikun tjetër: futja në treg e një mielli të tillë në mënyrë që ai pastaj të ngjizet dhe të bëhet brumë do kërkojë detyrimisht të përdoren shtesa ushqimore (aditive), që janë kryesisht kimikate, oksidues, në mënyrë që të arrihet përqindja e caktuar e glutenit që ai të kalojë në brumë, dhe askush nuk dëshiron që të prodhohet bukë me kimikate”, thotë ai.

Panariti pranon se duhet të kenë qasje të tillë jo vetëm për miellin, por edhe për produkte të tjera, qumështin dhe mishin.