Metodologjia e re për zgjerim/ Balla: Fillim i ri për integrimin e Ballkani Perëndimor në BE

Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Socialiste Taulant Balla deklaroi se destinacioni i Ballkanit Perëndimor është Bashkimi Europian.

Bota

22/02/2020 13:06

Pas konferencës “Një kontinent një e ardhme” të organizuar nga fondacioni “Qemal Stafa”, Balla gjatë një prononcimi për mediet tha se “në kryeqendër të diskutimeve lidhur me të ardhmen europiane të Ballkanit Perëndimor, ku kolegë të BE-së, ndër to dhe Isabel Santos, dhe përfaqësues të shumë vendeve anëtare, po diskutojnë me përfaqësues të Ballkanit Perëndimor atë që është konkluzioni i të gjithëve, që vendi i Ballkanit Perëndimor është në BE.

“Edhe pse brenda Ballkanit Perëndimor ka ecje me shpejtësi të ndryshme. Me rëndësi është që në fund të marsit vendimi për të filluar bisedimet për anëtarësim me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut por njëkohësisht dhe akordimin dhe dhënien e statusit të vendit kandidat për Kosovën dhe Bosnjë-Hercegovinën janë të rëndësishme. Dhe në këtë kontekst është e pakuptim dhe e papranueshme që BE vazhdon të mos mbaj fjalën e dhënë për popullin e Kosovës për mos liberalizimin e vizave. Po ashtu është e rëndësishme është që dhe vet BE, besoj tashmë e ka kuptuar se duhet ndryshuar vendimmarrja brenda saj. Nuk mund të jetë BE e njëjtë si atëherë me 6 vende e sot me 27 vende”, tha ai. Po ashtu Balla kritikoi procedurën e vendimmarrjes së këtij institucioni lidhur me vendet që pritet të anëtarësohen. “Fakti se dhe mbrëmë në Këshillin Europian për diskutimin e buxhetit afatmesëm nuk pati një vendim. Pati ngërç, tregon se BE duhet të ndryshojë sistemin e vendimmarrjes. Ajo që është e rëndësishme dhe duhet kuptuar, ne jetojmë në një moment shumë të rëndësishëm për vet BE dhe garantimi i një rruge të besueshme për çdo vend që anëtarëson të integrohet në BE është në kredibilitetin e procesit”, tha ai.

Balla vlerëson metodologjia e re të vlerësimit të BE-së duke e konsideruar një fillim të ri. “Ky proces me metodologjinë e re është një fillim të ri. Duhet të jetë i bazuar mbi meritën. Shqipëria ka bërë një ecuri të suksesshme sa i takon përmbushjes së detyrimeve që ka pasur në rrugën e vet”. Balla tha se Shqipëria ka bërë ecje progresive sa i takon përmbushjes së kërkesave si dhe zbatimit të reformave, siç është ajo e drejtësisë. “Reforma në Drejtësi mbetet një moment i rëndësishëm në rrugën europiane të Shqipërisë. Nga më shumë se 220 prokurorë e gjyqtarë që kanë kaluar në këtë proces, 84 prej tyre janë shkaktuar se nuk plotësojnë kushtet e Vetingut dhe 35 janë larguar me dorëheqje. Kjo tregon se më shumë se gjysma e tyre që kanë kaluar në Vetingun, nuk janë më pjesë e sistemit të drejtësisë. Kjo tregon se sa i thellë ka qenë korrupsioni dhe lidhja e tyre kriminale”, tha Balla.

Gjithashtu Balla vlerësoi rolin e Shqipërisë në stabilitetin rajonal. “Në aspektin rajonal dua të theksoj se Shqipëria luan një rol të rëndësishëm në Ballkanin Perëndimor dhe jo paqëllim Tirana është shndërruar në një kryeqendër të këtyre diskutime dhe këtyre debateve me kolegët e Parlamentit Europian, me përfaqësues të institucioneve europaine”, tha ai. “Për ne socialistët e Shqipërisë kjo konferencë është e lidhur tërësish me kongresin tonë që zhvillohet javën e ardhshme. Pra kjo konferencë i paraprinë një prej kapitujve të diskutimeve tona që lidhen me platformën tonë përsa i përket procesit të integrimit europian, fokusit të politikës sonë të jashtme e cila padyshim ka një yll polar orientimi, integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian. Javën e ardhshme Kongresi do të jetë i shtrirë në tre ditë me shumë diskutime, me plotë dokumente të rëndësishëm të cilat padyshim i shkojnë për shtat partisë më të madhe në vend dhe partisë me progresiste në vend”, përfundoi Balla.