Meta reagon pas daljes nga SPAK-u: Ishte një seancë me pyetje reciproke

Ilir Meta u pyet për gati tre orë nga Prokurori në SPAK këtë të martë, ndërsa ka reaguar për këtë me anë të një statusi në Facebook. Meta shkruan në rrjetet sociale se është pyetur për çështjen e lobimit, ndërsa thotë se ka qenë një seancë me pyetje reciproke, por thekson se ai nuk ka…

Lajme

07/01/2025 16:12

Ilir Meta u pyet për gati tre orë nga Prokurori në SPAK këtë të martë, ndërsa ka reaguar për këtë me anë të një statusi në Facebook.

Meta shkruan në rrjetet sociale se është pyetur për çështjen e lobimit, ndërsa thotë se ka qenë një seancë me pyetje reciproke, por thekson se ai nuk ka marrë përgjigje.

Ndërkohë, Meta iu kërkon ndjesë gazetarëve që nuk foli para tyre, duke thënë se nuk është lejuar edhe pse e ka bërë një kërkesë të tillë.

“Falenderoj mediat që më njoftuan dje se do të thirresha sot në SPAK, pasi ende nuk kam një dokument zyrtar njoftimi për t’u paraqitur.

Megjithatë, unë isha sot i gatshëm të shkoja në seancë, që në ora 10:00, siç u bë njoftimi vetëm nga mediat dhe vonesa ndodhi vetëm për shkak të SPAK.

U kërkoj ndjesë gazetarëve që nuk m’u dha leja që kërkova, që edhe me pranga dhe i shoqëruar, t’u përgjigjesha çdo pyetje të tyre.

Dua t’ju siguroj se kam dhënë sqarime shumë të qarta, me sjelljen time tepër transparente, për të gjitha pyetjet që m’u drejtuan, duke sqaruar edhe njëherë në respektin tim të plotë ndaj të gjitha ligjeve shqiptare dhe amerikane për çështjen e lobimit.

Por më lejoni t’ju sqaroj se ishte një seancë me pyetje reciproke, ne ju përgjigjëm të gjitha pyetjeve të tyre, ata ju shmangën “për moskompetencë” pyetjeve tona.

Pyetja jonë e parë ishte se çfarë bëhet me kallëzimin tonë të dorëzuar më 6 dhjetor në SPAK lidhur me rrëmbimin kriminal dhe banditesk.

Meqenëse ata ishin të interesuar për çështjen e lobimeve, pasi ju përgjigja të gjitha pyetjeve të tyre, si President i Partisë së Lirisë, forcës së dytë opozitare në vend, u bëra unë dy pyetje që kanë të bëjnë me interesin e lartë publik, konkretisht me çështjen e lobimeve të paligjshme.

Së pari, çfarë bëhet me hetimin e çështjes McGonigal, kryeagjentit të FBI të dënuar me burg për shkak të korruptimit nga kryekorruptuesi i ndërkombëtarëve, aktualisht Kryeministër?

Së dyti, çfarë bëhet me hetimin për fotografinë e paligjshme me Presidentin Obama të “Gruas së Bilalit” për të cilën një shtetas shqiptaro-amerikan ka bërë burg në Shtetet e Bashkuara të Amerikës?”, tha Meta.