Mësuesit në Shqipëri duan pagën e 13-të, paralajmërojnë pezullim të mësimit

Federata e sindikatave të arsimit paralajmëron pezullim të procesit mësimor në ditët e fundit të dhjetorit nëse nuk do të arrihet konsensusi për shpërblimin e fundvitit për mësuesit e sistemit parauniveristar.

Lajme

03/12/2016 18:08

“Një kërkesë specifike është dhënia e shpërblimit që u paguhet punonjësve të sistemit parauniversitar në fund të vitit. Është tashmë një detyrim ligjor dhe kontraktual, pasi është arritur në mënyrë të një pas njëshme pas negociatave dhe kontratave kolektikve me ministrinë e Arsimit dhe është sanksionuar dhe në Kodin e Punës”, thotë Arjan Dyrmishi, kreu i Federatës së Sindikatës së Arsimit.

Kreu i federatës së sindikatave thotë se janë në pritje të përgjigjes nga ministri i Financave dhe ajo e Arsimit  ndërkohë që përgjigja negative do të sjelle reagim sipas hapësirave ligjore, raporton Top Channel.

“Organizata të caktuara në qytete të caktuara kanë shprehur qëndrim të tyre që është më i avancuar, për të ndërprerë mësimin në shenjë proteste apo qëndrime që janë për të tërhequr vëmendjen po dhe për të rritur presionin”, thotë Dyrmishi.

Sindikalistët nuk janë kundër shpërblimit të mësuesve në bazë të perfomancës por ata kërkojnë shpërblimin prej 10 mijë lekë për të gjithë mësuesit.