Mësues, mos u korruptoni më 7 Mars!

Në shumë shkolla fillore të Republikës së Kosovës, në veçanti nëpër ato të kryeqytetit, është bërë shprehi që më 7 Mars t’iu dërgohen mësuesve dhurata me vlerë, gjë që të lë përshtypjen e zhvillimit, në heshtje, të një veprimtari korruptive në institucionet arsimore.

Lajme

04/03/2015 14:42

Përbuz luleve, nxënësit e shkollave, kërkojnë nga prindërit dy deri në pesë euro, për t’ia blerë mësuesit apo mësueses një stilolaps, llambë elektrike, unazë, vath ari apo bizhuteri të tjera të kushtueshme, që nuk mund të quhen dhurata, por një lloj veprimtarie korruptive deri tash e tolerueshme.

Në kryeqytet një klasë e shkollës fillore ka mesatarisht 30 nxënës, dhe nëse secili jep nga pesë euro, mblidhen 150 euro, që nuk janë pak për t’i blerë një dhuratë të mirë mësuesit apo mësueses, por si veprim përveç se i turpshëm, duhet të jetë edhe i ndëshkueshëm.

Mësuesit e dalluar duhet të mjaftohen me një lule nga nxënësit e tyre e të stimulohen me dekorime ose në forma tjera nga drejtoritë dhe Ministria e Arsimit, por assesi në forma sikurse shihen më 7 mars nëpër oborret e shkollave që prej disa vjetësh.

Edhe këtë vit, prindër servilë, individualisht ose në grup, kanë nxitur iniciativën për mbledhjen e parave nga nxënësit, prej dy deri në pesë euro, për t’iu blerë dhurata mësuesve të fëmijëve të tyre.

Shumica e prindërve të nxënësve nuk janë dakord me iniciativa të këtilla, por shumica e tyre e kanë të vështirë t’i bindin fëmijët e tyre 7 deri në 10 vjeç, se një gjë e këtillë është e gabuar dhe irrituese.

Dita e Mësuesit – 7 Marsi, do të festohet të premten, meqë e shtuna është ditë pushimi. Mbase këtë vit është tepër vonë për të ndërmarrë hapa konkret në parandalimin e kësaj dukurie të keqe, por nuk është vonë që mësuesit t’ua bëjnë me dije nxënësve që nuk do të pranojnë kurrfarë dhuratash prej tyre, përveç një luleje apo një dhurate tjetër simbolike, por jo nga ato të lartpërmendurat.

Kosova, vërtetë është shteti me nivelin më të lartë të korrupsionit në Evropë, por është e papranueshme që edhe fëmijët e saj të mësohen prej në fillore të bashkëjetojnë me antivlera, të ndjehen më mirë pranë mësuesve që korruptohen me dhurata dhe pëlqejnë servilizmin e nxënësve dhe të prindërve të tyre. /lajmi.net/