Messi kundër FIFA-s

Pikërisht kur FIFA dënoi Barcelonën duke ia pamundësuar angazhimin e përforcimeve në dy afatet e ardhshme kalimtare, Lionel Messi i ka dalë në mbrojtje akademisë së klubit, La Masia.

Sport

21/08/2014 09:43

Lionel Messi ka kundërshtuar vendimin e FIFA-s që i pamundësoi Barcelonës të realizojë përforcime për dy afatet e ardhshme kalimtare, deri në janarin e vitit 2016.

Kjo, pasi shtëpia botërore e futbollit e shpalli fajtor gjigantin katalan për regjistrimin e parregullt të disa futbollistëve ndërkombëtarë të moshës së mitur.

Dhe, FIFA refuzoi ankesën e Barcelonës duke fuqizuar vendimin fillestar që klubi nga Camp Nou të mos ketë të drejtë të sjellë futbollistë të rinj në dy afatet e ardhshme kalimtare, pas përfundimit të këtij të tanishmit më 31 gusht.

Messi, futbollist që doli nga akademia e famshme La Masia i doli në mbrojtje shtëpisë së prodhimit të talenteve të gjigantit katalan, duke u shprehur kundër vendimit të FIFA-s.

“Me krenari mund të them se jam këtu ku jam sot falë La Masias”, deklaroi shkurt Messi për të përditshmen sportive katalane “Sport”. Mesazh i qartë për FIFA-n.