Messi dhuron spektakël në ‘Camp Nou’ – Barcelona përkohësisht lidere me tri pikët kundër Eibar

Barcelona ka arkëtuar tri pikë të reja në kuadër të xhiros së 25-të në La Liga.

Sport

22/02/2020 17:56

‘Blaugrana’ kanë mposhtur skuadrën e Eibar, në ‘Camp Nou’, me rezultatin 5:0, në një ndeshje ku gjithçka vendosi lojtari më i mirë në botë, Lionel Messi.

Messi hapi serinë e golave në këtë takim kur kishin kaluar vetëm 14 minuta, kur shfrytëzonte asistimin e Ivan Rakitic.

Argjentinasi gjeti edhe golin e dytë personal në mintuën e 37’, për të dyfishuar epërsinë e skuadrës së tij.

Het-trikun e tij  në fitoren e Barcelonës, Messi e vendosi në minutën e 40’, duke shënuar për 3:0, kurse golin e katërt ‘Topi i Artë’ e shënoi në minutën e 88′, për 4:0.

Rezultati final i këtij takimi u vendos një minutë pas golit të katërt të Messi. Ishte Arthur Melo ai që shënoi për 5:0. Vlen të cekët se dy golat e fundit erdhën nga kontributi i lojtarit të ri, Braithwaite.

Me këtë fitore, Barcelona ngritët në krye të tabelës së La Liga, me 55 pikë, dy më shumë sesa Real Madrid që sonte luan ndeshjen me Levante.

Eibar në anën tjetër mbetet me 24 pikë, në pozitën e 16-të të klasifimit në La Liga. /Lajmi.net/