Mësohet se çka i tha Kurtit njeriu i Trumpit që erdhi në Kosovë për dialogun

Sot, në Ambasadën e re të ShBA-ve në Prishtinë, kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, dhe anëtari i kryesisë, Glauk Konjufca, u takuan me ambasadorin amerikan në Gjermani, Richard A. Grenell dhe ambasadorin amerikan në Kosovë, Philip S. Kosnett.

Lajme

09/10/2019 16:34

Në një komunikatë për media, Lëvizja Vetëvendosje bënë të ditur se në këtë takim, Grenell theksoi që mungesa e marrëveshjes së Kosovës me Serbinë është pengesa kryesore e investimeve të huaja në ekonominë kosovare.

Lideri i Lëvizjes Vetëvendosje shprehu gatishmërinë e tij që si kryeministër i ri i Kosovës të thellojë bashkëpunimin me ShBA-të.

Në këtë njoftim thuhet se Grenell dhe Kurti janë pajtuar që Kosova ka nevojë për zhvillim ekonomik dhe investime prej jashtë, por për këtë gjë problem janë sidomos korrupsioni i lartë në qeveri që krijon pasiguri e cila tremb bizneset, varfëria e përhapur në popullsi që e mban të ulët kërkesën agregate si dhe qasja e vështirë në financa për bizneset për shkak të kamatave të larta të kredive në banka.

Sa i përket dialogut me Serbinë, bëhet e ditur se Kurti ka thënë që përmbajtja dhe procesi i marrëveshjes janë më të rëndësishme për qëndrueshmërinë e saj sesa afati kohor për të.