Mësimdhënësit e viteve ’90 rrëfejnë për punën e tyre

Që nga muaji prill presin që t’u kompensohet puna që kanë bërë për 10 vite.

Lajme

07/03/2019 21:07

44 vite të jetës i ka kaluar si mësimdhënëse.

E tani Hasbije Hamdiu po gëzon statusin e pensionistes.

Por, për këtë mësuese  periudha më e lavdishme mbetet ajo e viteve të ’90-ta.

Hamdiu e i përshkruan ato vite që ishin nën presionin serb si tepër të rënda. Sipas saj, koha më e rëndë ishte fillimi i zbrazjes së klasave.

“Nji moment i trishtushem është kur ja kane nis me ike nxanësit nuk e dishim ka po shkojnë”.

Mësuesja e shkollës Dardania, thotë që libri i historisë për klasën e katërt ishte vështirë të sigurohej në atë periudhë.

Ajo tregon se nxënësit atë e blinin fshehurazi.

“Libri i historisë është dashtë me u ble fshehurazi se me t’paa”.

Për kontributin e saj gjatë kësaj periudhe, ajo pret që nga muaji i tjetër të marr një shtesë në pensionin e saj.

Ndryshe nga Hamdiu, Ahmet Pllana ende e shfleton ditarin.

Ai është mësimdhënës në lëndën e Historisë në Shkollën Dardania në Prishtinë, shkollë kjo në të cilën ai ka punuar edhe gjatë viteve të ’90-ta.

Për Pllanën kjo ishte periudha më e vështirë e punës së tij në arsim.

“Na e kanë nda shkollën. Kemi pas shumë nxënësa…”.

E për ta bërë edhe më të rëndë situatën, pushteti serb për 12 ditë ua ndali edhe furnizimin me ujë e rrymë elektrike punonjësve të shkollës Dardania në kryeqytet.

Ajo çka mban mend Pllana është vullneti që ka ekzistuar mes mësimdhënësve e nxënësve për të vazhduar procesin mësimor.

Tash mësimdhënësit e asaj  periudhe gëzojnë një pension për punën që e kanë bërë gjatë viteve ‘90-‘99.

Ata do të paguhen në bazë të viteve punë që kanë bërë në arsim në atë kohë, dhe vetëm pasi të dalin në pension.

YouTube player