Mesazhi i deputetëve gjermanë për presidentin e Serbisë: Dëgjo protestat
Përfaqësuesit e partive parlamentare gjermane i kanë dërguar presidentit serb Aleksandar Vuçiç një mesazh të qartë, duke deklaruar se një vend kandidat për anëtarësim në Bashkimin Evropian duhet të respektojë të drejtën për të protestuar. Ligjvënësit në Bundestag e bënë të qartë se i mbështesin protestat disa mujore në Serbi. Zëdhënësi i grupit parlamentar CDU/CSU…
Lajme
Përfaqësuesit e partive parlamentare gjermane i kanë dërguar presidentit serb Aleksandar Vuçiç një mesazh të qartë, duke deklaruar se një vend kandidat për anëtarësim në Bashkimin Evropian duhet të respektojë të drejtën për të protestuar.
Ligjvënësit në Bundestag e bënë të qartë se i mbështesin protestat disa mujore në Serbi.
Zëdhënësi i grupit parlamentar CDU/CSU në Komisionin e politikës së jashtme të Bundestagut, Jürgen Hardt, tha se aksidenti në Novi Sad dhe tubimet që pasuan janë një shenjë e qartë se Serbia duhet të ndryshojë diçka në orientimin e saj të politikës së jashtme.
“Serbia u mbështet shumë te paratë dhe njohuritë kineze në të kaluarën, dhe kjo tani është duke u shlyer”, tha ai, teksa nënvizoi se shembja e strehës në stacionin e të trenit në Novi Sad, i cili është pjesë e projektit të Rrugës së Mëndafshit Kinez, rëndon drejtpërdrejt mbi qeverinë serbe.
“Keqmenaxhimi dhe korrupsioni ishin më se të dukshme”, pohoi përfaqësuesi i partisë që ka gjasa të formojë qeverinë e re në Gjermani.
Hardt, i cili, si pjesa tjetër e partisë së tij, angazhohet për lidhje më të ngushta midis rajonit të Ballkanit Perëndimor dhe Bashkimit Evropian, po u dërgon një mesazh të qartë autoriteteve në Beograd.
“Autoritetet serbe duhet të dëgjojnë protestuesit: më pak Kinë, më shumë Bashkim Evropian.”
I pyetur për qëndrimin e tij ndaj protestave në Serbi, raportuesi i Partisë së Gjelbër për Ballkanin Perëndimor në Bundestag, Boris Mijatovic dënoi nga ana e tij dhunën ndaj demonstruesve dhe përpjekjet për frikësim, ndërsa i cilësoi si tejet shqetësuese informacionet se bandat po rrahin protestuesit deri në shtrimin e tyre në spital.