Mesazhe paqeje për Krishtlindje

Imzot Dodë Gjergji bëri thirrje për begati, harmoni e paqe mes njerëzve përderisa qindra besimtarë dhe të ftuar kishin mbushur Katedralen, duke marrë pjesë në festën më të madhe të krishterë.

25/12/2013 08:30

Në Katedralen e Prishtinës “Nënë Tereza” u mbajt mbrëmë ceremonia kryesore e festës së krishtlindjeve katolike e cila u përshkua me lutjet për paqe dhe kritika për gjendjen e rëndë në shoqëri.

Ipeshkvi i Ipeshkvisë së Kosovës, Imzot Dodë Gjergji ka bërë thirrje për begati, harmoni e paqe mes njerëzve përderisa qindra besimtarë dhe të ftuar kishin mbushur Katedralen, duke marrë pjesë në festën më të madhe të krishterë.

“Vëllezër dhe motra shumë të dashur, duke ju dëshiruar të gjithë juve dhe gjithë njerëzve vullnetmirë paqe, dashuri, gëzim familjar, mirëqenie, shëndet dhe jetë të gjatë, ju uroj Festën e Krishtlindjes dhe ju përcjell bekimet e mia për vitin që po vjen”, ka thënë Dodë Gjergji.

Ipeshkvi i Kosovës gjithashtu i ka përkujtuar kosovarët në përgjithësi, me një dozë të kritikës, për përvojat nëpër të cilat kanë kaluar shumë vite më parë, përderisa Kosova ishte e okupuar.

Ai ka theksuar se sot, kur vendi është i lirë dhe me një rend demokratik, ngjallet malli për dashurinë e dikurshme, kujdesin njerëzor, miqësitë, ngrohtësitë familjare dhe idealet sublime. Të gjitha këto, ipeshkvi i Kosovës i ka quajtur “pasuri” që kosovarëve ua mundësuan “të ngriheshin mbi kufijtë e lirisë së burgosur dhe të zbrisnin nën të drejtat e shtypura për të arritur te zemrat e njëri-tjetrit”.

“Sot na ka kapluar trishtimi pranë të mirave të shumta dhe mundësive të vogla për t’i pasur ato; pranë një shteti të së drejtës ku ka gjyq e ligj, por që vështirë arrihet te drejtësia; pranë një shoqërie ku të fortit kanë mundësi, punësim, pasuri, të drejta dhe liri, kurse të tjerët janë të detyruar të jetojnë fatin e varfërisë së tyre. E, varfëria shumëdimensionale po e përbuz dinjitetin e shumë njerëzve, të vëllezërve dhe motrave tona”, ka thënë Dodë Gjergji.

Ai ka kritikuar ashpër situatën, në të cilët qytetarët janë të detyruar të jetojnë nën dinjitetin e tyre.

“Si është e mundur që kur kemi kaq shumë liri dhe të drejta, të jemi të mbyllur brenda mureve të egoizmit dhe të urrejtjes, të kemi zbritur nën dinjitetin njerëzor për të ikur nga përgjegjësia e dashurisë për njëri-tjetrin? Kjo gjë na ndodh për shkak se Zotin e duam, por nuk e lejojmë të na i ndryshojë zemrat. Lirinë e duam, por nuk kemi mësuar akoma që liria dhe të drejtat arrihen me dashuri dhe respekt ndaj tjetrit. Jetojmë në paqe, por na mungojnë hiret dhe virtytet. E kur mungojnë hiret dhe virtytet, paqja dhe liria e humbin kuptimin e vet”, ka thënë Dodë Gjergji.

Ndryshe, gjatë gjithë ditës së djeshme, por edhe sot, fryma e Festës së Krishtlindjes i ka përshkuar qytetet e Kosovës. Në kryeqytetin e saj, Prishtinë, hapësirat publike janë dekoruar dhe stolisur me bredhat tradicionalë te festave të fundvitit.