Mesazh për kalimin e ngërçit politik, pozitat nuk janë aq të rëndësishme

Kreu i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa ka deklaruar se situata në Kosovë lidhur me konstituimin e institucioneve pas zgjedhjeve të përgjithshme është larg më e rëndësishme sesa thjeshtësimi i saj se kush do të jetë në krye të këtyre institucioneve.

Lajme

14/11/2014 08:44

Pas kthimit nga vizita në Gjermani dhe Bruksel, kreu i LDK-së duket se ka ndryshuar paksa fjalorin, duke thënë se LDK nuk ka hyrë në zgjedhje për ta akomoduar atë si lider, dhe se kjo duhet të vlejë edhe për partitë tjera.

Mustafa, të premten në profilin e tij në Facebook, ka shkruar se pasi vendimi i Gjykatës Kushtetuese e bëri të pamundur implementimin e marrëveshjes, ai do të angazhohet maksimalisht që me marrëveshje të koaliconit paszgjedhor të bëjë zgjidhje të pranueshme për subjektet që  përfaqësojnë dhe në interes të partive të koalicionit dhe të qytetarëve.

Lexojeni të plotë postimin e Mustafës në Facebook:    

Situata në Kosovë lidhur me konstituimin e institucioneve pas zgjedhjeve të përgjithshme është larg më e rëndësishme sesa thjeshtësimi i saj se kush do të jetë në krye të institucioneve.

Partitë politike i kanë liderët e tyre por zgjedhjet neve në LDK nuk i kemi bërë që të më akomodojnë mua si lider, ashtu siç po i dëgjoj disa komente.

Zgjedhjet janë bërë që të bëjmë ndryshime pozitive për qeverisje të vendit.

Ne do të angazhohemi maksimalisht që me marrëveshje të koaliconit paszgjedhor të bëjmë zgjidhje të pranueshme për subjektet që ne i përfaqësojmë dhe në interes të partive të koalicionit dhe të qytetarëve, pasi vendimi i Gjykatës Kushtetuese e bëri të pamundur implementimin e marrëveshjes sonë të dt. 10 qershor 2014.

Ne i kemi qëndrimet e subjekteve tona, të cilat i kemi diskutuar bashkërisht dhe do t’i diskutojmë brenda koalicionit paszgjedhor dhe do të vendosim në harmoni me vullnetin tonë dhe të anëtarësisë të cilën e përfaqësojmë por edhe të kritereve të cilat na u kanë pasqyruar si mundësi për ta marrë mandatin.