​Merz për takimin me Trump: Nuk do të marr qetësues

Kancelari gjerman Friedrich Merz do të takohet të enjten me presidentin amerikan Donald Trump në Uashington, njoftoi qeveria gjermane. Në takim do të diskutohet mbi luftën e Rusisë kundër Ukrainës, situatën në Lindjen e Mesme dhe politikën tregtare, tha zëdhënësi i qeverisë gjermane, Stefan Kornelius, raporton KosovaPress. Ky është takimi i parë personal mes Merz…

Bota

31/05/2025 18:32

Kancelari gjerman Friedrich Merz do të takohet të enjten me presidentin amerikan Donald Trump në Uashington, njoftoi qeveria gjermane.

Në takim do të diskutohet mbi luftën e Rusisë kundër Ukrainës, situatën në Lindjen e Mesme dhe politikën tregtare, tha zëdhënësi i qeverisë gjermane, Stefan Kornelius, raporton KosovaPress.

Ky është takimi i parë personal mes Merz dhe Trump. Gjithashtu është planifikuar një drekë e përbashkët dhe një konferencë e përbashkët për media.

Kancelari gjerman do të qëndrojë në Blair House, krahu i Shtëpisë së Bardhë, i destinuar për mysafirë specialë.

Duke pasur parasysh sjelljen e Trump ndaj disa prej të ftuarve të tij të mëparshëm, si presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky ose presidenti i Afrikës së Jugut Cyril Ramaphosa, kancelari Merz së fundmi tha se ai nuk priste ndonjë situatë të tensionuar.

“Unë nuk do të marr qetësues për të qëndruar i qetë gjatë një bisede me Trump dhe për të bërë një bisedë të arsyeshme me të,” tha Merz duke shtuar se ai po përgatitet intensivisht për takim.

Kujtojmë, gjatë mandatit të tij të parë, Donald Trump nuk e fshehu se nuk e pëlqente vendin e të parëve të tij Gjermaninë, dhe gjatë një bisede me gazetarët në Zyrën Ovale, ai refuzoi t’i jepte dorën kancelares asokohe Angela Merkel.