Merz i ashpër me senatorët amerikanë: S’kanë ide ç’po ndodh, nuk e kuptojnë rrezikun rus

Një ditë pasi zhvilloi bisedime në Shtëpinë e Bardhë me presidentin amerikan Donald Trump, kancelari gjerman Friedrich Merz ka thënë se disa senatorë amerikanë nuk e kuptojnë shkallën e fushatës së riarmatosjes së Rusisë. “U takova me disa senatorë në Capitol Hill dhe u thashë që të shikojnë me kujdes çfarë armatosjeje po bën Rusia.…

Bota

06/06/2025 14:18

Një ditë pasi zhvilloi bisedime në Shtëpinë e Bardhë me presidentin amerikan Donald Trump, kancelari gjerman Friedrich Merz ka thënë se disa senatorë amerikanë nuk e kuptojnë shkallën e fushatës së riarmatosjes së Rusisë.

“U takova me disa senatorë në Capitol Hill dhe u thashë që të shikojnë me kujdes çfarë armatosjeje po bën Rusia. Ata qartazi nuk kanë asnjë ide çfarë po ndodh atje tani,” ka thënë Merz, sipas Reuters, ndërsa nuk ka përmendur emra konkretë të senatorëve.

Kujtojmë se, që nga fillimi i pushtimit të plotë të Ukrainës në shkurt 2022, Rusia ka kaluar fabrikat e mbrojtjes në prodhim 24-orësh dhe ka nënshkruar marrëveshje armatimi me Korenë e Veriut dhe Iranin. Kjo ka bërë që zyrtarët evropianë të paralajmërojnë se Moska mund të jetë në prag të arritjes së kapacitetit për të sulmuar territor të NATO-s.

Edhe pse Rusia mohon se ka qëllime të tilla, duke deklaruar se po zhvillon një “operacion ushtarak special” në Ukrainë për të mbrojtur sigurinë e vet përballë një Perëndimi armiqësor dhe agresiv.

Ndërkohë, Merz, një konservator që mori pushtetin në maj, është lideri më i fundit evropian që vizitoi Trumpin, duke shpresuar ta bindë për nevojën që SHBA të mbështesë Ukrainën përballë agresionit rus dhe të vazhdojë të garantojë sigurinë e Evropës përmes aleancës së NATO-s.