Mërgimtarët mund të votojnë nesër në ambasada e konsullata, Elezi: Ky proces organizohet në 19 shtete, në Evropë, SHBA e Kanada
Procesi i votimit do të organizohet për herët të parë në histori të shtetit në përfaqësitë diplomatike të Republikës së Kosovës. 20 mijë e 324 shtetas të Kosovës do mund të shfrytëzojnë të drejtën e tyre të votës me 8 shkurt në 19 vende të ndryshme të botës, kryesisht në Evropë, por edhe në SHBA…
![](https://lajmi.net/wp-content/uploads/2019/08/Diaspora-voton-01.png)
Lajme
Procesi i votimit do të organizohet për herët të parë në histori të shtetit në përfaqësitë diplomatike të Republikës së Kosovës.
20 mijë e 324 shtetas të Kosovës do mund të shfrytëzojnë të drejtën e tyre të votës me 8 shkurt në 19 vende të ndryshme të botës, kryesisht në Evropë, por edhe në SHBA dhe Kanada.
Zëdhënësi i Komisionit Qendror Zgjedhor, Valmir Elezi është deklaruar për lajmi.net në lidhje me procesin e votimit në përfaqësitë diplomatike.
Ai bëri të ditur se qytetarët do të mund të votojnë në 19 shtete të ndryshme, jashtë Kosovës.
“Për herë të parë në historinë e shtetit të Kosovës, do të organizohet votimi në përfaqësitë diplomatike, të cilat janë të vendosura në shtete të ndryshme të botës. Pra, procesi i votimit do të zhvillohet në 16 ambasada dhe 14 konsullata të Republikës së Kosovës, të vendosura në 19 shtete të ndryshme. Numri i përgjithshëm i votuesve të regjistruar për të votuar në 30 përfaqësitë diplomatike të Republikës së Kosovës është 20,324 votues”, tha Elezi.
Këtë të drejtë vote do mund ta shfrytëzojnë vetëm ata që kanë përzgjedhur këtë formë të votimit në momentin kur janë regjistruar si votues jashtë Kosovës.
“Vetëm votuesit e regjistruar në përfaqësi diplomatike do të mund të votojnë më 8 shkurt 2025, pasi në listën votuese e cila është dërguar në përfaqësi dipomatike, janë vetëm emrat e shtetasve që kanë përzgjedhur këtë mënyrë votimi kur janë regjistruar si votues jashtë Kosovës gjatë periudhës së regjistrimit (29 gusht – 26 dhjetor 2024). Sipas rregullores së KQZ-së për regjistrimin dhe votimin jashtë Kosovës, me rastin e votimit në vendvotimin në përfaqësi diplomatike, votuesi identifikohet përmes dokumentit identifikues të lëshuar nga Republika e Kosovës, si: letërnjoftim, pasaportë ose patentëshoferi”, potencoi ai.
Verifikimi i statusit mund të bëhet në çdo kohë përmes platformës elektronike: https://diaspora.kqz-ks.org/sq/AbroadVoter/AbroadVoterStatuses
Sipas Rregullores së KQZ për regjistrimin dhe votimin jashtë Kosovës, me rastin e votimit në vendvotimin në përfaqësi diplomatike, votuesi identifikohet përmes dokumentit identifikues të lëshuar nga Republika e Kosovës, si: letërnjoftim, pasaportë ose patentë shoferi./Lajmi.net/