Mënyra perfekte e përgatitjes së tavës së dheut në shtëpi

Tava e dheut është një ndër gatimet më speciale nga tradita e Shqipërisë së Mesme.

Lifestyle

28/06/2021 14:45

Nga kuzhinat më të vjetra të shtëpive përdhese, të gatuara në zjarrin e oxhakut e deri sot në restorantet më prestigjiozë, Tava e Dheut vijon të ruajë traditën e shijes së mirë shqiptare.

Vërtetë, një traditë e Shqipërisë së Mesme, Tava e Dheut sot është ndër më të veçantat e kuzhinës shqiptare në tërësi. Shumë e preferuar nga shqiptarët, mahnitëse për turistët e huaj.

Përbërësit

500 gr mish viçi (ose mëlçi viçi sipas preferencës)

300 gr gjizë fshati

1-2  kokrra qepë të thata

3 domate të kuqe, të bëra mirë

Kripë

Piper

8 thelpinj hudhre

Dy lugë gjelle uthull (sipas preferencës)

Vaj ulliri

Spec djegës

Përgatitja e gjellës në tavat e baltës

Grijmë qepët hollë dhe i hedhim në një tenxhere dhe i kavërdisim disa minuta në zjarr me pak vaj ulliri.

Në momentin që volumi i qepëve nis të bjerë, dhe qepët marrin një ngjyrë të verdhë në të artë shtojmë mishin e prerë në kubikë dhe vijojmë t’i kavërdisim për disa minuta.

Më pas shtojmë uthullën dhe vijojmë kavërdisjen derisa mishi ta përthithë plotësisht.

Në këtë moment shtojmë domatet e grira në rende, shtojmë kripën, piperin, specin djegës dhe hudhrën gjithashtu.

I kavërdisim të gjitha bashkë, hedhim gjizën dhe një gotë me ujë dhe i lëmë në zjarr të ziejnë derisa domatja të shkrijë tërësisht.

E heqim nga zjarri dhe nisim mbushjen e tavave të baltës.

Tavat i vendosim  në furrën e paranxehur dhe i lëmë të piqen për maksimumi 25 minuta.

Tava e dheut serviret e ngrohtë, e sapo dalë nga furra.

Shoqërohet në mënyrë fantastike me sallata të ndryshme të perimeve të freskëta apo të pjekura. /Lajmi.net/