Memorandum në mes të Ministrive për Ekonomi të Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut, në sektorin e energjisë për përfitime reciprok

Në mbledhjen e përbashkët të Qeverisë së Republikës të Kosovës dhe Qeverisë së Republikës të Maqedonisë së Veriut, sot janë nënshkruar 11 memorandume bashkëpunimi.

Lajme

16/09/2021 19:11

Në kuadër të Ministrisë së Ekonomisë të Kosovës dhe Ministrisë së Ekonomisë të Maqedonisë së Veriut, ministrja Artane Rizvanolli dhe ministri Kreshnik Bekteshi kanë nënshkruar Memorandumin e Mirëkuptimit për sektorin e energjisë.

Ky memorandum është nënshkruar duke pasur parasysh rëndësinë e sigurisë së furnizimit me energji elektrike për zhvillimin ekonomik në Republikën e Kosovës dhe Republikën e Maqedonisë së Veriut, si dhe mungesën e kapaciteteve gjeneruese dhe llojshmërinë e tyre në të dy vendet.

Në këtë memorandum theksohet rëndësia dhe përfitimet e bashkëpunimit dypalësh në sektorin e energjisë dhe burimet energjetike në përfitimin reciprok në përputhje me parimet e Legjislacionit të BE-së dhe Traktatit për themelimin e Komunitetit të Energjisë.

Ministrja Rizvanolli, gjatë mbledhjes ka cekur se; “Synimet e njëjta si dekarbonizimi i sektorit, diversifikimi i burimeve dhe integrimi i burimeve të ripërtërishme të energjisë e bëjnë më të rëndësishëm se kurrë krijimin e kushteve teknike e tregtare për bashkëpunim më të ngushtë.

Në këtë mënyrë do të sigurojmë fleksibilitet të sistemit, siguri dhe cilësi të furnizimit, si dhe tarifa më të lira për konsumatorët”.

Memorandumi i përbashkët ka për qëllim të arrijë furnizim më të sigurt të energjisë për Kosovën, Maqedoninë e Veriut, për Evropën Juglindore dhe Bashkimin Evropian në përgjithësi. Ky lehtësim i bashkëpunimit mes të dyja vendeve do të fokusohet në fushat prioritare të cilat përfshijnë; sektorin e energjisë, burimet e ripërtërishme të energjisë, efiçiencën e energjisë, sigurinë e furnizimit etj..

“Përfitimet për qytetarët dhe bizneset tona do të jenë të prekshme, prandaj motivi ynë për realizim është i fortë dhe nuk do të mbetet vetëm në letër”, shtoi në fund, Ministrja Rizvanolli./Lajmi.net/