Memli lobon në Doha të Katarit

Ministri Memli Krasniqi, në një Samit të mbajtur në Doha të Katarit, ka lobuar për ndërkombëtarizimin e sportit kosovar.

Lajme

11/12/2013 15:58

Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Memli Krasniqi, ka marrë pjesë në Samitin “Doha Goals Forum”, të Dohas në Katar, ku ka treguar për gjendjen e sportit kosovar, duke i dhënë theks të veçantë ndërkombëtarizimit dhe infrastrukturës.

Ai mori pjesë në këtë Samit me ftesë të Ministrit të Rinisë dhe Sportit të Katarit, Salah bin Ghanem bin Nasser Al Al.

Në një njoftim të Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit, thuhet se Ministri Krasniqi ka informuar të pranishmit se Kosova nuk lejohet që të marrë pjesë në shumë gara ndërkombëtare, ndërkohë që ka lobuar për ndërkombëtarizmin e sportit.

“Në fjalën e tij, Ministri Krasniqi ka njoftuar homologët e tij me gjendjen nëpër të cilën ka kaluar sporti në Kosovë për vite me radhë. Ai, po ashtu, ka folur edhe për progresin dhe sfidat që po e përcjellin sportin në Kosovë në këtë kohë.”

“Theks të veçantë Ministri i ka vënë ndërkombëtarizimit dhe infrastrukturës. Ai përmendi para ministrave faktin që sportistëve nga Kosova nuk u lejohet të jenë pjesë e barabartë në garat zyrtare ndërkombëtare. Ministri theksoi se kjo është një drejtë njerëzore dhe komuniteti ndërkombëtar sportiv duhet të hapë dyert, për t’i kontribuar kështu masivizimit të sportit dhe eliminimin e diskriminimit.”

Në këtë takim të Ministrave, siç njoftohet, është folur edhe për infrastrukturën dhe sfidat në organizim të ngjarjeve të mëdha sportive.

Ministri Memli Krasniqi ka folur për problemet me infrastrukturën sportive që ka Kosova.

“Po bëhen përpjekje që të investohet dhe disa hapa janë bërë tashmë. Shtetet e vogla në përgjithësi kanë problem me sigurimin e një infrastrukture të gatshme për ngjarje të mëdha sportive, por duhet të punohet bashkërisht që këto shtete të jenë organizatorë të ngjarjeve më të vogla sportive, qoftë gara rajonale, apo edhe ndërkombëtare, por në sporte individuale, ku nuk kërkohet infrastrukturë e madhe”, është shprehur Ministri Krasniqi.

Pas takimit, ministrat nga vende të ndryshme kanë miratuar një deklaratë përmes së cilës theksojnë rolin si një katalizator për inovacione dhe investime.

Përmes deklaratës, ministrat janë dakorduar që bashkëpunimi me sektorin privat në fushën e sportit, dhe akterë të tjerë është mjaftë i rëndësishëm për krijimin e një politike të drejtë për të bërë avancime në organizim sa më të mirë dhe në ecje në hap me zhvillimin e teknologjisë, dhe për të punuar për të mirën e njerëzve përmes sportit.

“Ministri Krasniqi  ka takuar edhe homologë të tij, në margjina të Samitit. Me ta, ai ka diskutuar për nevojën për bashkëpunimin në fushën e sportit dhe ka kërkuar nga ta mbështetje në ngritje të kapaciteteve në sport, shkëmbim të përvojave e në veçanti përkrahje për ndërkombëtarizim.”

“Ai i ka njoftuar ata me progresin në sport, me emrat e shumtë nga Kosova që po tregojnë suksese nëpër botë, si dëshmi për potencialin tonë.”

“Një takim të veçantë ka pasur me Ministrin e Sportit të Rinisë të Katarit, Salah bin Ghanem bin Nasser Al Ali me të cilin janë pajtuar për të vazhduar komunikimet në mënyrë që një të ardhme të afërt të diskutohen dhe konkretizohen format e bashkëpunimit mes dy vendeve.”

Doha Goals Forum mbahet nën patronatin e mbretit të Katarit, Sheikh Tamim Bin Hamad Al Thani.