Memli Krasniqi me thirrje për mobilizim: Nesër është dita e PDK-së, dita e qytetarëve
Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Memli Krasniqi, ka bërë sot një thirrje të fuqishme për mobilizim të votuesve në prag të balotazhit që do të mbahet nesër në disa komuna të vendit. Në një postim në rrjete sociale, Krasniqi e ka quajtur 9 nëntorin “ditën e PDK-së” dhe ditën e qytetarëve, duke theksuar…
Lajme
Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Memli Krasniqi, ka bërë sot një thirrje të fuqishme për mobilizim të votuesve në prag të balotazhit që do të mbahet nesër në disa komuna të vendit.
Në një postim në rrjete sociale, Krasniqi e ka quajtur 9 nëntorin “ditën e PDK-së” dhe ditën e qytetarëve, duke theksuar se çdo votë do të jetë vendimtare për fitoren e kandidatëve të partisë në komunat ku do të zhvillohet gara, transmeton lajmi.net.
“Nesër është dita jonë. Dita e PDK-së. Dita kur çdo qytetar, me votën e tij, do të përcaktojë fitoren tonë – si fitore për qytetin e tij,” ka shkruar Krasniqi.
Kryetari i PDK-së ka përmendur disa prej komunave ku partia e tij është në garë, duke i përshkruar me tone simbolike:
“Nga Prizreni që punon, nga Mitrovica që beson, nga Vushtrria që ec përpara, nga Kaçaniku që nuk thyhet, nga Klina e Dragashi që nuk dorëzohen.”
Ai ka përmendur edhe kandidatët që garojnë në këto komuna – Shaqën, Arianin, Feritin, Sabedinin, Sokolin dhe Shabanin, duke i cilësuar si “njerëz që dëshmojnë çdo ditë se lidershipi është shërbim, jo privilegj”.
Në fund, Krasniqi ka dërguar një mesazh bashkimi për të gjithë mbështetësit e PDK-së:
“Këto 24 orë janë gjithçka që kemi. Dhe çdo votë është një hap më afër fitores… Së bashku. Më mirë për qytetet tona. Më mirë për Kosovën.”
Thirrja e tij vjen vetëm një ditë para se qytetarët të rikthehen në kutitë e votimit për raundin e dytë të zgjedhjeve për kryetarë komunash./lajmi.net/