Meliza Haradinaj sqarohet për dënimin që ia dha gjykata për deklarim të rremë të pasurisë
E propozuara për ministre të Jashtme, Meliza Haradinaj, e cila është dënuar me burgim me kusht dhe gjobë për deklarim të rrejshëm të pasurisë, ka reaguar në lidhje me këtë rast, duke tentuar që t’i sqarojë rrethanat e verdiktit të gjykatës për të.
Lajme
Tutje, në reagim ajo thotë se në momentin kur ishte emëruar këshilltare e kryeministrit Haradinaj, ishte këshilluar nga një avokat, teksa ky i fundit i kishte thënë asaj se biznesi trajtohet si i fjetur, pa transaksione me peshë afariste.
“Vlen të theksohet se biznesi përgjatë gjithë historikut të tij financiar, nuk ka tejkaluar vlerën prej 3,000€ qarkullim. Citoj letrën e avokatit deponuar edhe në Prokurori: “Mund të konfirmoj se kompania ‘In Middle Ltd’ nuk ishte ndërmarrje tregtare më datën 30 shtator 2017 dhe se statusi i saj nuk ka ndryshuar që atëherë”, ka thënë ajo.
Në fund të reagimit, ajo ka thënë se vendimin e gjykatës e kishte apeluar.
Sidoqoftë, Apeli nuk ka marrë ende vendim në lidhje me ankesën për dënimin e Meliza Haradinaj-Stubllës, andaj në këto rrethana mbetet në fuqi vendimi i shkallës së parë, që atë e dënon me 8 muaj burgim dhe 1 mijë euro gjobë.
Lajmi.net gjatë ditës së djeshme ka raportuar se dënimi i dhënë nga Gjykata për Haradinaj Stubllën, është shkelje e pikës së nëntë të marrëveshjes për bashkëqeverisje të nënshkruar nga AAK dhe LDK, e që saktëson se personat të cilët kanë pasur probleme me ligjin në të kaluarën nuk mund të jenë pjesë e qeverisë.
Lexo edhe:
Që në ditën e parë, LDK e AAK shkelën marrëveshjen e koalicionit
Më poshtë mund ta lexoni edhe reagimin e plotë të Meliza Haradinaj Stubllës:
E vërteta lidhur me rastin ligjor që po diskutohet rreth meje këto ditë në media, pas nominimit për Ministre për Punë të Jashtme të Kosovës, është si vijon:
1) Studimet postdiplomike për diplomaci i kam kryer në vitin 2011 në Mbretërinë e Bashkuar (në Oxford University), ku edhe kam jetuar për një kohë.
2) Në vitin 2015 kam hapur në Mbretërinë e Bashkuar një biznes përmes formës elektronike, duke respektuar në tërësi legjislacionin anglez në fuqi, me kapital fillestar prej 10 funtash.
3) Në vitin 2017, kur jam emëruar këshilltare e Kryeministrit, jam konsultuar me avokatin anglez, i cili më ka këshilluar se biznesi trajtohet si i fjetur, pa transaksione me peshë afariste, dhe në shuarje e sipër, andaj për këtë arsye edhe nuk e kam deklaruar në tetor të vitit 2017, me rastin e emërimit në detyrën e Këshilltares së Kryeministrit. Vlen të theksohet se biznesi përgjatë gjithë historikut të tij financiar, nuk ka tejkaluar vlerën prej 3,000€ qarkullim. Citoj letrën e avokatit deponuar edhe në Prokurori: “Mund të konfirmoj se kompania ‘In Middle Ltd’ nuk ishte ndërmarrje tregtare më datën 30 shtator 2017 dhe se statusi i saj nuk ka ndryshuar që atëherë. Gjithashtu mund të konfirmoj se mikro llogaritë e fundit për kompaninë për vitin që mbaron më 30 shtator 2017, treguan vlerë neto të aseteve prej më pak se 3,000 euro, e cila është brenda pragut të përcaktuar në Ligjin e Kosovës nr. 04/L-50 (dhe ndryshim/plotësimit të Ligjit nr. 04/L-228).”
4) Vendimi në shkallë të parë me të cilin jam shpallur fajtore për mos deklarim të biznesit të shuar është marrë në bazë të keqinterpretimit të statusit të kompanisë dhe pa vërtetimin nga autoritetet angleze nëse kompania është shuar apo jo. Këtë vendim e kam apeluar.
5) Kjo është e vërteta rreth rastit tim. /Lajmi.net/