Meholli reagon pasi humbi në Vushtrri: Gara ishte e pabarabartë, u bë presion dhe pati dyshime për blerje votash – Humba me dinjitet

Kandidati për kryetar të Vushtrrisë nga VV, Sylejman Meholli ka humbur dje garën në këtë komunë, pasi në balotazh ishte me Ferit Idrizin e PDK-së. Ai ka falënderuar dhe uruar qytetarët e Vushtrrisë, pasi ka vlerësuar lartë kulturën qytetare që kanë treguar gjatë këtij procesi dhe rezultatin të cilin e ka respektuar. Meholli ka dalënderuar…

Lajme

10/11/2025 10:10

Kandidati për kryetar të Vushtrrisë nga VV, Sylejman Meholli ka humbur dje garën në këtë komunë, pasi në balotazh ishte me Ferit Idrizin e PDK-së.

Ai ka falënderuar dhe uruar qytetarët e Vushtrrisë, pasi ka vlerësuar lartë kulturën qytetare që kanë treguar gjatë këtij procesi dhe rezultatin të cilin e ka respektuar. Meholli ka dalënderuar të gjithë mbështetësit, familjarët, aktivistët e qytetarët që thotë se kanë thyer çdo rekord të VV-së në Vushtrri në zgjedhje lokale, duke hyrë në balotazh dhe duke arritur numrin rekord të votave ehe për Kuvend Komunal.

“Gara ishte e pabarabartë, u bë presion nga pushteti aktual ndaj shërbyesve publikë, qytetarëve e bizneseve, pati shumë dyshime për blerje votash, pati dhe shpifje të ulëta të cilat për herë të parë në jetën time më detyruan të shkoj në Gjykatë për të paditur dikë dhe do t’a ndjek deri në instancën e fundit të sistemit të drejtësisë. E kam thënë nga fillimi: më krenar jam të humbas me dinjitet sesa të fitoj me pazare deri në antikombëtare siç i kemi parë. Të fitosh 96% të votave të Listës Serbe në Prelluzhë dhe të bashkëpunosh me ta – subjektin që vrau Afrim Bunjakun dhe lufton Republikën e Kosovës, siç ka bërë Ferit Idrizi – kjo nuk do koment më tepër”, ka shkruar Meholli.

Ai ka falënderuar degën e LDK-së në Vushtrri për koalicionin, pra bashkëpunimin dhe mbështetjen ndërsa ka thënë se i vjen keq për rrethanat që janë krijuar “me grupe të caktuara të cilat janë në shërbim të PDK-së dhe bashkimi ynë u prishte pazaret e jo idealet e partisë”.

“Kemi dalë të parët dhe kemi fituar në rundin e parë në Akrashticë, në Pantinë, në Mërgatë dhe në votat me kusht! Kemi dalë të parët dhe kemi fituar në rundin e dytë në Akrashticë, në Pantinë, në Shtitaricë, në Druar, në Reznik, në Dobellugë, në Banjëskë, në Pestovë dhe në Nadakoc. Sigurisht që presim fitore prapë edhe në Mërgatë. Prandaj, një falënderim i veçantë për lokalitetet që na bënë fitues. Mirënjohës për jetë për vullnetin e tyre të hekurt për fitore e ndryshim. Fitorja e Lëvizjes VETËVENDOSJE! në Vushtrri do të vijë në zgjedhjet e radhës, sepse tashmë veç i kemi vendosur themelet e forta nga ku ngrihet fitorja e qytetarëve të lirë. Vushtrria do ta kuptojë në 4 vitet e ardhshme çfarë ka zgjedhur, si do të qeveriset dhe çfarë ka humbur si mundësi qeverisjeje. Do ta shohim dallimin në cilësinë e qeverisjes me Mitrovicën, sepse e kemi afër. Pastaj do të krahasojmë me vepra, projekte, fakte, pa inate e ngarkesa”, ka shkruar Meholli.

Ai ka falënderuar për mbështetjen kryeministrin në detyrë Albin Kurti, të cilit i ka premtuar se “do ta ketë mbrapa në çdo betejë të radhës”.

“Edhe një herë për fund: FALEMINDERIT TË GJITHËVE! ❤️ Vushtrri, tu gëzoftë zemra gjithmonë”, ka shkruar Meholli.

Meholli mori 45,73% të votave në Vushtrri në raundin e dytë të zgjedhjeve lokale, ndërsa Ferit Idrizi ka marrë 54,27%. /Lajmi.net/